Maqedoni

Deklarata e Pendarovskit për 20%, Ramadani: Shtytje edhe për partitë politike

14.04.2023 16:30

Deklarata e fundit e presidentit të vendit Stevo Pendarovski...

Deklarata e fundit e presidentit të vendit Stevo Pendarovski se nuk është kundër zëvendësimit të formulimit 20% për shqiptarët, shton mundësinë që edhe kjo çështje të përfshihet me ndryshimet kushtetuese, që njëherit është edhe kërkesë e faktorit politik shqiptarë.

Analisti politik Ismet Ramadani në një deklaratë për TVM2 vlerëson, se kjo deklaratë duhet të përshëndetet dhe duhet të jetë një shtytje edhe për partitë politike, sidomos atyre maqedonase, që në këto ndryshime kushtetuese sadopak t’ua largojnë një brengë shqiptarëve, ndonëse ata nuk përfitojnë kushedi se sa nga ky ndryshim. 

“Deklarata e presidentit të shtetit është një deklaratë për t’u përshëndetur, edhe pse është implicide, por me gjithë atë i bënë me dije edhe partive politike maqedonase dhe deputetëve në Parlament se duhet të jenë të gatshëm, që nëse ka ndonjë propozim apo iniciativë që të ndryshohet kjo kategori kushtetuese prej 20 për qindëshit, e që në fakt është ofendues për shqiptarët, që të krijohet një disponim i mirë dhe një respekt ndaj bashkështetasve shqiptarë nga ana e palës maqedonase. Edhe liderët e partive politike kohë pas kohe kanë dhënë deklarata të ngjashme se nuk u pengon ndryshimi i 20 për qindëshit dhe nëse ka sinqeritet në këtë drejtim, atëherë kjo edhe mund të kalojë.”, - deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

Sipas Ramadanit futja e etniteteve tjera në preambulën e Kushtetutës nuk duhet të shihet si pengesë, e cila mund të ngrihet si çështje, sepse realisht Kushtetuta e vendit dhe maqedonasit nuk humbin asgjë.

“Shqiptarët në aspektin e të drejtave të tyre nuk ndryshojnë në ndryshimin e kësaj kategorie, pra të 20 për qindëshit, mirëpo fitojnë në aspektin moral, sepse kategoria gjuha shqipe nëse vihet në numër, pra një përqindje, atëherë shqiptarët janë të fyer në një mënyrë me këtë kategori. Dhe kjo nuk duhet të jetë problem për bashkëkombasit tanë maqedonas që ta përkrahin, sepse tek e fundit ne shqiptarët kemi qenë fer gjithnjë dhe jemi kur bëhet fjalë për identitetin maqedonas.”, - theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.

Ramadani, po ashtu ka pohuar se shqiptarët duhet të shpërblehen ose këtë 20 për qindësh ta largojnë në shenjë falënderimi për shqiptarët e RMV-së, të cilët asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim shtetin, etnitetin, historinë apo kulturën e popullit maqedonas. (Fitim Kryeziu, TVM2)