Botë

Shqipëria dhe Kosova rrisin bashkëpunimin shkencor

14.04.2023 17:11

Kosova dhe Shqipëria do të bashkëfinancojnë me nga 20 mijë euro 16 projekte shkencore....

Kosova dhe Shqipëria do të bashkëfinancojnë me nga 20 mijë euro 16 projekte shkencore. Kjo parashihet me nënshkrimin e programit nga ministrja e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci dhe ministrja e arsimit dhe sportit e Shqipërisë, Evis Kushi.
 
“Qëllimi i kësaj është të specifikojmë disiplinat shkencore në mënyrë që përveç përkrahjes për studiuesit dhe kërkuesit tanë, në dy vendet të kemi edhe studime të cilat do të na ndihmojnë edhe neve në vendimmarrje dhe politikat tona. Në këtë linjë kemi përcaktuar edhe fushat prioritare për të dy vendet duke u nisur nga  shkencat humane e albanologjike, burimet natyrore, shëndeti, ndryshimet klimatike etj. Tema që janë me rëndësi për të dy vendet përgjithësisht për avancimin e shkencës në vendet tona.”, - deklaroi ministrja e arsimit dhe shkencës e Kosovës, Arbërie Nagavci.
 
“Është fjala për marrëveshjen e bashkëpunimit për të bashkëfinancuar projekte të kërkimit shkencor, projekte të përbashkëta mes krijuesve tanë.  Përvoja e parë ka nisur në vitin 2019, ku u financuan 10 projekte të përbashkëta. Ndërsa, tani vijmë me një buxhet të shtuar. Kemi vendosur të financojmë deri në 16 projekte të përbashkëta të studiuesve tanë të universiteteve tona dhe buxheti shkon në një vlerë maksimale prej 20 mijë eurosh.”, - theksoi ministrja e arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi.
 
Projektet do të përzgjidhen në tetor 2023 dhe do të nisin implementimin në janar 2024.  Ky projekt vjen pas asaj për abetaren e përbashkët unike, teksti i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë apo enciklopedia shqiptare e cila sapo ka filluar të realizohet mes dy akademive të shkencave. 
 
GYLTENE SINANI