Maqedoni
Ahmeti takon Lalakos, në fokus zhvillimet politike
13.02.2015 16:17
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka takuar sot në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Greqisë në Maqedoni, z. Haris Lalakos...

Kryetari Ahmeti dhe ambasadori Lalakos diskutuan mbi zhvillimet politike në dy vendet tona dhe në rajon, si dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe kontestin e emrit.
Ahmeti përsëriti qëndrimin e theksuar ditë më parë që Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon ndërhyrjen e Brukselit në zgjidhjen e aferës së fundit me përgjimet në Maqedoni, në mënyrë që të përfitohet besueshmëria e të gjitha palëve të përfshira në proces.
Në lidhje me çështjen e emrit, kryetari Ahmeti shprehu pritjen që Qeveria e re në Athinë të angazhohet drejtpërdrejt në tejkalimin e kontestit me Shkupin, që po na mban larg nga NATO dhe Bashkimi Evropian.
Bashkimi Demokratik për Integrim përkrah negociata të drejtpërdrejta sa më shpejt që është e mundur midis Maqedonisë dhe Greqisë, në mënyrë që të zgjidhet ky problem, që do të na mundësonte anëtarësim të menjëhershëm në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE.
Kjo është alternativa e vetme për vendin tonë, që do të siguronte paqen, sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm, si dhe do të mundësonte zhvillim ekonomik në vend bashkë me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore.
NAIM RAMADANI
