Maqedoni

Arifi, inspektoi disa firma tetovare

13.02.2015 16:51

Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj.Teuta Arifi, së bashku me Inspektoratin Lokal për Ambient Jetësor sot zhvilloi inspektim në Kompaninë e prodhimeve të qumështit...

Kryetarja e Komunës së Tetovës, znj.Teuta Arifi, së bashku me Inspektoratin Lokal për Ambient Jetësor sot zhvilloi inspektim në Kompaninë e prodhimeve të qumështit “Sentis -AG”-Xhepçisht, e cila për nga veprimtaria që ushtron, është e obliguar të posedojë leje B të integruar ekologjike.
 
Në procesin e kontrollit dhe inspektimit, inspektorët komunal kontrolluan dhe u kushtuan vëmendje disa parametrave, siç janë: lëshimi i  materieve në ujë, ajër dhe tokë, si dhe inspektim i kategorive të tjera që kanë të bëjnë me ambientin jetësor.
 
“Sot Inspektorati Komunal i Tetovës ishte në një aktivitet kontrollues në Kompaninë “Sentis Ag” për të kontrolluar të gjitha elementet që kanë të bëjnë me lejet B ekologjike, kryesisht janë kontrolluar planet operative, standardet dhe përdorimi i ujit gjatë procesit të prodhimit, stacioni i filtrimit dhe të gjitha elementet të cilat në fakt japin mundësi të funksionojë një subjekt me leje B ekologjike, të cilat jepen nga Komuna e Tetovës. Dëshiroj që të informoj opinionin që gjatë ditëve të kaluara janë kontrolluar edhe subjekte të tjera për sa u përket lejeve B ekologjike, duke u nisur nga fakti që ne sollëm vendim që të rrisim kontrollin, gjithmonë me qëllim që të kemi sa më tepër mundësi për të ndikuar në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, tha se po ashtu janë kryer kontrolle të detajuara për sa i përket teknikave dhe formave të menaxhimit, lëndëve të para të cilat përdoren për prodhim, përfshirë këtu edhe ujin, trajtim i mbeturinave industriale, raporte të cilat i dërgojnë në Komunën e Tetovës.
 
“Po ashtu, në të njëjtën kohë dëshiroj t’u informoj që janë bërë edhe më tepër kontrolle në stacionet për kontrollin teknik të makinave për sa i përket emetimit të gazrave në atmosferë dhe gjithsesi, për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e vlefshme kur jemi në një kompani siç është dita e sotshme, në të cilën janë të plotësuara të gjitha standardet dhe që në fakt elementi i kujdesit ndaj ndotjes së ambientit është tejet i lartë dhe tejet në nivel. Me këtë rast dëshiroj që të falënderoj të gjitha kompanitë që u përmbahen këtyre standardeve dhe njëkohësisht kërkoj që të gjithë të përmbahen, për arsye se kontrollet tona do të jenë intensive të vazhdueshme gjithmonë, me qëllim që të ulet ndotja në qytet në suaza të kufijve të komunës sonë”- tha Arifi.
 
Arifi po ashtu tha se në Komunën e Tetovës ka kompani të cilat punojnë me leje B ekologjike dhe kompani të cilat punojnë me elaborate ekologjike, varësisht prej madhësisë së kompanive.
 
Sipas saj, deri më tani kontrollet e komunës  kanë treguar nivel të mirë të respektimit dhe nuk ka pasur situata për të dhënë dënime, por ka pasur disa situata ku janë dhënë vetëm disa sugjerime për rregullim të mëtejmë të standardeve.
 
MIFTAR EMINI