Botë
Shqipëri filloi fushata zgjedhore
14.04.2023 22:08
Në Shqipëri, filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit....

Në Shqipëri, filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit. Partia Socialiste ka zgjedhur tjetër model fushate këtë herë, duke zëvendësuar mitingjet me mbjellje pemësh.
“I pari i tyre që vjen vërdallë me një vulë në Lule të ballit si person non grata, edhe ju premton shqiptarëve çudira që nuk i bëri kur s’kishte as damkën. Bashkë me atë tjetrin, dy hije që janë turp për Shqipërinë që i ka akoma nëpër këmbë. Dhe që duan të kapin ça t’kapin, bashki këtu e bashki atje, një copë Shqipërie këtu, një copë Shqipërie atje, për komplet hallin e tyre”.- tha Rama.
Ndryshe nga socialistët, demokratët respektuan traditën dhe publikuan sloganin e tyre. Enkelejd Alibeaj tha se dalja me kandidatë vetëm në një pjesë të vendit, erdhi si pasojë e agresionit Rama-Berisha.
“PD nga agresioni që iu bë nga PS, nga Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta e kushdo tjetër. Targeti i vetëm ka qenë PD. Në një situatë të tillë anormale, zvarritje në gjyqe me luftë të bërë në institucione si KQZ, me seli të zaptuar që ne të bënim prezantimin. S’është normale që një pjesë tjetër kanë synimin t’i ngulin thikë pas shpine këtij grupi të nderuar”.- tha Alibeaj.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” iu bashkua me heshtje fushatës, në pritje të tubimit hapës të shtunën në Air Albania. I vetmi që foli, ishte Berisha që komentoi deklaratën e Escobar se non grata e tij nuk hiqet, edhe nëse fiton zgjedhjet.
“Përsa i përket guvernatores, unë edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Kongresit të SHBA të hetojnë aferat korruptive të ambasadores Yuri Kim, përfshi këtu edhe pronat e saj në Shqipëri.”- tha Berisha.
LULJETA NDOKA
