Maqedoni
Zaev: e vërteta për Maqedoninë do të dalë në shesh
13.02.2015 17:04
Projekti i LSDM-së “E vërteta për Maqedoninë” vazhdon të mbajë vëmendjen e ndërkombëtarëve...
Ambasadori i OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret dhe shefi i sektorit për çështje politike të OSBE-së, Xhejms De Vit, kanë vizituar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, për të mësuar nga afër për të ashtuquajturat “bomba”.
Gjatë takimit, Zaev ka siguruar zyrtarët e OSBE-së se procesi i publikimit të së “vërtetës për Maqedoninë” do të vazhdojë përmes një procesi të kujdesshëm.
“E vërteta për Maqedoninë filloi të mbërrijë deri te opinioni. Do të vazhdojmë me publikimin deri në kthimin e lirisë, demokracisë dhe vlerave evropiane në Republikën e Maqedonisë. Procesin do ta udhëheqim duke mbajtur llogari për interesin e qytetarëve” – ka deklaruar Zaev.
Sipas tij, materialet nga përgjimi konfirmojnë qëndrimet e LSDM-së dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, të konstatuara në të gjitha raportet me relevancë, përfshi edhe raportin e OSBE-së, për kontroll të tërësishëm të pushtetit mbi institucionet shtetërore.
“Publikimi i së vërtetës do të dëshmojë se pushteti i Gruevskit ka pamundësuar të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe demokratike, të drejtën për informim dhe liri të shprehjes, si dhe të drejtën e privatësisë”- ka deklaruar Zaev, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
SHPËTIM NUREDINI
