Botë

Japoni, sulmohet kryeministri Kishida

15.04.2023 15:09

Kryeministri Japonez Fumio Kishida shpëtoi pa lëndime, nga shpërthimi...

Kryeministri Japonez Fumio Kishida shpëtoi pa lëndime, nga shpërthimi i cili ndodhi para fillimit të tubimit të partisë së tij në pjesën perëndimore të vendit dhe ai u evakuua shëndoshë e mirë.
 
Sipas mediave japoneze një person i dyshuar për shpërthimin është arrestuar. Shpërthimi ka ndodhur  në portin Saikazaki të qytetit Vakajama, ku Kishida po mbante një fjalim  në  mbështetje të kandidatit të partisë së tij në pushtet në zgjedhjet lokale.  Kryeministri japonez më vonë mbajti një fjalim.
 
"Ne po mbajmë një zgjedhje të rëndësishme për vendin dhe duhet të punojmë së bashku për t'i parë ato deri në fund", u shpreh kryeministri Japonez Fumio Kishida.
 
“Sistemi zgjedhor është themeli i demokracisë dhe akte të dhunshme si ky nuk mund të tolerohen. Kam udhëzuar Agjencinë Kombëtare të Policisë të marrë masa të plota për mbrojtjen e zyrtarëve”, theksoi shefi i kabinetit Matsuno Hirokazu.
 
Incidenti ndodhi nëntë muaj pasi  ish-kryeministri Shinzo Abe u qëllua për vdekje gjatë fushatës vitin e kaluar në qytetin perëndimor Nara. Sulmi i sotëm ndodhi në prag të zgjedhjeve lokale si dhe atyre për vendet vakant në dhomën e poshtme të parlamentit të Japonisë, që do mbahen me 23 prill.
 
Të dielën, ministrat e jashtëm të vendeve të G7 do të mbërrijnë për një takim punë në prefekturën Nagano. Kishida do të presë samitin e G7 në qytetin e tij të lindjes, Hiroshima, nga 19 deri më 21 maj.
 
SAFET ADEMI