Maqedoni
3 persona të infektuar nga “Tularemia”
13.02.2015 17:33
“Tularemia” është sëmundje e rrezikshme për njerëzit, e cila po përhapet në masë të madhe edhe në vendin tonë...

Bartës të infektimit janë kafshët, sidomos brejtësit, si minjtë, lepuri, ketri, por edhe kafshët tjera të cilat janë infektuar nëpërmjet tyre, sidomos macet të cilat ushqehen me brejtës që mund të jenë të infektuar.
Kjo sëmundje bartet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët, përmes ushqimit të kontaminuar, ujit, ose përmes thithjes së bakteries “Francisella tularensis”, që bartë “Tulareminë”.
Nga Instituti për Shëndet Publik njoftojnë se kjo sëmundje mund të shkaktojë edhe epidemi.
““Tularemia” është një sëmundje akute infektive, shkaktari i kësaj sëmundje është një bakterie që quhet “Francisella Tularensis”. Bakteria ka karakter endemik dhe në shumë vende të botës është mirë e njohur dhe shumë e përhapur, ndërsa në disa vende mund të shkaktojë edhe epidemi. Pra, është e përhapur në të gjithë rruzullin tokësor, gjithandej. Mënyra më e shpeshtë e përhapjes në vendin tonë është mënyra indirekte, d.m.th. përmes ekskreteve të kafshëve të sëmura, minjve dhe maceve”- deklaroi Dukagjin Osmani nga Instituti për Shëndet Publik.
“Pra, është një sëmundje akute infektive. Periudha e inkubacionit është prej 3 deri në 5 ditë, ndonjëherë mund të jetë prej 1 deri më 14 ditë. Zakonisht vjen me temperaturë, kokëdhembje, plogështi, varësisht prej mënyrës së hyrjes së shkaktarit. Karakteristikë e kësaj sëmundje është vendi i hyrjes, forma okuloglandulare, në vendin e hyrjes paraqitet ulcerë, prej së cilës vjen deri te rritja e nyjeve limfatike”- tha mjeku, Dukagjin Osmani.
Osmani thotë se personat të cilët i shohin këto simptoma duhet menjëherë të paraqiten te mjeku amë, sepse pacientët e tillë duhet të përfundojnë nëpër klinika.
Ai gjithashtu apelon opinionin që të sigurohet për ujin e pijshëm nëse vjen nga burime të sigurta, sepse zakonisht nëpër puse mund të përfundojnë edhe minjtë e ngordhur.
Gjithashtu duhet mbajtur higjienë personale dhe gjatë pastrimit të pluhurit të përdorin maska, thotë Osmani.
Përndryshe, në Kosovë është shpallë gjendje epidemie nga “Tularemia” dhe shanset për t’u përhapur edhe në vendin tonë janë shumë të mëdha.
Në Maqedoni gjendje alarmante ka qenë në Gostivar, në vitit 2009/2010 dhe e njëjta është shfaqur edhe tani.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
