Maqedoni

Elezi: Skandali rezultat i paaftësisë së ASH-së

15.04.2023 18:27

Partia opozitare Alternatina ka dënuar skandalin me anesteziologun e spitalit të Tetovës...

Partia opozitare Alternatina ka dënuar skandalin me anesteziologun e spitalit të Tetovës, i cili publikoi pamje në rrjetin social Tik Tok nga reparti i gjinekologjisë. Nga kjo parti akuzojnë Aleancën për Shqiptarët për paaftësi, duke e cilësuar rastin si degradim të paprecedentë të shëndetit publik
 
“E dënojmë ashpër  incidentin me videon nga spitali i Tetovës. Pacientet e incizuara janë nënat e dikujt, gratë e dikujt, vajza. Njerëz më emocione të cilat pa asnjë faji u është cenuar privatësia. Degradimi i këtillë i shëndetit publik është i paprecedent. Ne jemi të sigurte se kjo është rezultat i paaftësisë së ASH-së, për të trajtuar dobësitë sistematike në resorët të cilat i kërkuan dhe i morën. Asnjë justifikim nuk mban. Për të qenë skandali edhe më i madh, mjeku që ka regjistruar videon është fotografuar me ministrin e shëndetësisë gjate në spitalin klinik të Tetovës”, u shpreh nënkryetari i AA-së, Amir Elezi.
 
Mexhiti: Anesteziologu nuk ka lidhje me ASH-në
 
Por ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ka mohuar lidhjen e tij dhe ASh-së me anesteziologun që akuzohet për publikimin e videove. Mexhiti duke iu përgjigjur akuzave të Alternativës tha se ai nuk e njeh personin dhe se fotografinë kanë kërkuar ta bëjnë stafi i spitalit gjatë vizitës së tij në këtë qendër spitalore.
 
“Kjo pjesë e fotografisë ka qenë në pjesën kirurgjike ashtu që kolegët e mi kanë kërkuar foto të bëjnë me mua si ministër. Jo ky rast, unë personin në fjalë nuk e njoh personalisht po është e vërtetë unë  e kam parë pastaj në foto. Këtu ne nuk jemi parti. Nuk jemi anëtarë të partive. Ky zotëria as nuk është anëtar i ASH-së, por edhe të ishte do të kalonte më keq se kaq. Kështu i gjithë opinioni le ta dijë se tash në shëndetësi nuk do të ketë parti politike dhe nuk do ketë anëtar politik”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Ndryshe publikimi i këtyre pamjeve në rrjetin social nga anesteziologu tetovarë, ka bërë bujë edhe në mediat e rajonit.
 
SAFET ADEMI