Ngecja në procesin integrues, Sela: BE-ja do të aktivizohet më shumë muajt në vijim
Plani evropan të zë rendin e parë në politikën e brendshme të shtetit ndërsa matematikat e partive politike...

Plani evropan të zë rendin e parë në politikën e brendshme të shtetit ndërsa matematikat e partive politike për pushtet të zbresin në shkallën e dytë, thotë profesori universitar Ylber Sela. Duke folur mbi mundësinë e ndikimit të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtar në mbarëvajtjen e procesit integrues sipas planifikimit të propozimit francez, Sela shton se ardhjet e shpeshta të zyrtarëve perëndimor, janë shenjë që sinjalizojnë vendit për të mos humbur rrugën e BE-së dhe të shfrytëzojë dritaren e mundësisë ofruar nga Brukseli.
“Vizitat e shpeshta që kanë filluar të personaliteteve të fuqishme qoftë nga SHBA-ja qoftë nga BE-ja, tregojnë që Maqedonia nuk është në drejtimt të duhur. Për këtë arsye, faktori ndërkombëtar mundohet që nëpërmjet këshillave, rekomandimeve të fus RMV-në në drejtim të integrimit evropian, sepse siç e shohim gjeopolitika e bën punën e vet, lufta në Ukrainë e bën punën e vet dhe ndikimet ruse në Ballkan e kanë bërë punën e vet”, u shpreh profesori universitar Ylber Sela.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve aktuale midis partive politike, zyrtarët shtetëror dhe udhëheqësit e procesit negociues besojnë se ndryshimet kushtetuese do të zënë vend në kuvend në fillim të verës, e në këtë peiudhë, Sela nënvizon shtimin e takimeve mes poltikanëve vendorë dhe krerëve të institucioneve evropiane. Ai nuk përjashton mundësinë që ndërhyrja ndërkombëtare të japë efektin e duhur. Po që se lëshohet rasti dhe zhvendosemi nga kursi politik evropian, skenarë të errëta do ta shoqërojnë vendin, thotë Sela.
“Për këto tre muaj do fillojmë një fazë të nxehtë dhe besoj se do të kemi vizita më të shpeshta nga ata që e udhëheqin politikën evropiane, edhe nga liderë ballkanik po edhe vet qeveria duhet të hap hapsira të bind opozitën se rruga e vetme e shtetit është të hymë në binarin e integrimit evropian… Nëse nuk do hyjmë në këtë binar do të bëhet keq për të gjithë: s’do ketë zhvillim ekonomik, bashkëpunim rajonal, ndihmë të BE-së, do kemi skenare tjera, protesta, destabilizm, rritje të nacionalizmit dhe populizmit”, theksoi Sela.
Ndërkohë në vend mungon unifikimi i partive dhe konsensusit politik për grupin e punës, i cili u mendua të formohet për t’i parapri debatit parlamentar për ndryshimet kushtetuese, respektivisht futjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik, që paraqet kusht për mundësinë e vazhdimit të procesit integrues me hapjen e klasterëve në fund të vitit.
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU
