Botë
Prishtinë, Mustafa: nuk është larg që Serbia ta njohë Kosovën
13.02.2015 18:19
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët...
Në një shkrim të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Mustafa shkruan se me marrëveshjen e drejtësisë, të nënshkruar dy ditë më parë në Bruksel, vetëm se janë vënë disa gurë të rëndësishëm të njohjes.
“Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët. Se për këtë paska reaguar keq ministri serb i Drejtësisë, Selakoviq, nuk po brengosem, sepse gur-gur bëhet mur. Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vëmë gjatë kësaj jave në Bruksel, ku mori edhe ai pjesë. Në drejtësi arritëm t’i aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë”- shkruan Mustafa.
Por, në anën tjetër ai shpreh habi për reagimet e djeshme të disa njerëzve që, siç shkruan Mustafa, nuk u ka pëlqyer kjo marrëveshje.
“Po habitem pak nga disa njerëz tanë se si nuk po u pëlqen kjo. Unë dyshoj që ata janë kundër sistemit unik të drejtësisë, por nuk jam i sigurt që ata nuk hanë letra, sepse vetë të menduarit se dikush duhet t’i hajë ato, flet se ata edhe atë punë e kanë bërë, por nuk e kam ditur se njeriu bëhen shtatlartë duke ngrënë letra. Ani, po të kishte hëngër edhe diçka tjetër, ku ta dimë se sa do të rritej”- ka shkruar Mustafa.
