Botë

Zgjedhjet në Shqipëri, opozita akuzon për shpërdorim fondesh dhe krim

17.04.2023 16:47

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR...

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Odri Glover u takua me kreun e partisë së Lirisë Ilir Meta dhe aleatin e tij Sali Berisha. Pas takimit, Meta tha se i ka shprehur Glover shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike dhe për qëndrimin e njëanshëm të KQZ.
 
Nesër është parashikuar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri. Ndërkohë partitë vijuan të qetë fushatën elektorale. Kandidati socialist për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kundërshtarët politikë, po tregojnë qasje të majtë.
 
“Kemi kandidatë nga Partia Socialiste, kemi një nga Partia Komuniste, kemi një nga një lëvizje marksiste, kemi një që hiqet sikur është me Saliun, por është regjistruar me LSI. Ata e dinë që nuk fitojnë, megjithatë shansi për të marrë disa vota është duke folur majtas, duke menduar majtas, duke bërë fushatë majtas, duke u investuar në ide të majta”, u shpreh kreu i PS-Tiranë, Erion Veliaj.
Fushatën e tij, Sali Berisha zgjodhi ta përqendrojë në akuzat se krimi ka kapur Qeverinë.
 
“Tirana sot shëmbëllen me Palermon e viteve ’50. Një vajzë 26 vjeçare u burgos e marrë peng në shtëpi nga i ashtuquajturi, partner duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik, tipik për strofullat e mafies në protektoratin e mafies”, theksoi Sali Berisha nga Koalicioni “Bashkë fitojmë”.
 
Nga ana tjetër, Partia demokratike zyrtare e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj i kërkoi Sali Berishës mos të përdorë simbolet e saj në fushatë.
 
LULJETA NDOKA