Ahmeti fton Brukselin të ndërmjetësojë në rikthimin e dialogut politik
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti kërkon ndërmjetësimin e Brukselit për të rikthyer dialogun politik mes dy blloqeve politike maqedonase dhe monitorim të rastit “Puç” pasi siç thotë ai, opinion por edhe BDI ka rezerva ndaj gjyqësorit...
Kërkesën e tij, Ahmeti e përsëriti gjatë vizitës në Ambasadën e Gjermanisë në Shkup, ku ka realizuar takim me grupin e deputetëve gjerman për bashkëpunim me vendet e Evropës Juglindore dhe ambasadoren gjermane në Maqedoni, Kristinë Althauzer.
“Vendi i LSDMsë është në kuvend ku do të gjejnë partner tek BDI-ja. Ndërsa, lideri i BDI-së ftoi edhe Brukselin zyrtar që të përforcon ekipin ndërmjetësues midis VMRO DPMNE dhe LSDM edhe me ekspert që do ta kishin monitoruar procesin në rastin Puç, për arsye se rezervat e qytetarëve për Gjyqësorin janë të mëdha, përfshirë edhe të Bashkimit Demokratik për Integrim”- ka deklaruar Ahmeti.
Veç aferës së përgjimit dhe Rastit Puç, Ahmeti ka theksuar se Maqedonia ka shumë punë për të bërë edhe në drejtim të zbatimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, lirisë së mediave, etj, por sipas tij edhe me plotësimin e këtyre kritereve, pa e zgjidhur kontestin me Greqinë, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO dhe nuk fillon negociatat me BE-në.
“Prandaj, roli i Gjermanisë, i nisur me konferencën e Berlinit nga viti i kaluar, duhet të jetë vendimtar në uljen në një tavolinë të kryeministrave Gruevski dhe Cipras për t’a zgjidhur këtë çështje sa më shpejtë”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
Ahmeti ka përkujtuar përfaqësuesit gjerman se të gjitha të arriturat e pas luftës janë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar, por rrumbullaksimi i këtij procesi po rezikohet nga vonesat për t’u integruar në NATO dhe BE. “Kjo mund të nxis edhe tensione ndëretnike”-, ka konstatuar Ahmeti. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
