Botë

Parlamenti Evropian miraton përfundimisht liberalizimin e vizave

18.04.2023 15:05

Parlamenti Evropian përfundimisht ka miratuar liberalizimin e vizave për kosovarët...

Parlamenti Evropian përfundimisht ka miratuar liberalizimin e vizave për kosovarët, me çka u jepet e drejta qytetarëve të Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e zonës Shengen. “Qytetarët e Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në BE dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë  pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një kuadër të ngjashëm vizash për zonën Shengen.”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Evropian të publikuar në faqen zyrtare.  
 
Pas votimit, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.       
 
“Ju keni pritur për një kohë të gjatë e cila ishte shumë e pa drejtë, por kjo nuk e justifikon sepse ju i keni plotësuar të gjitha kriteret, por kurrë nuk është vonë, ne bëmë tani, ju mund të udhëtoni për Gjermani, Austria, ju keni mundësi të vizitoni shokët tuaj. Kjo më bëri të lumtur mua, por më shumë duhet t’iu bëjë juve. Urime tash, u kry.”, - deklaroi raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon.
 
Nga qeveria e Kosovës bëjnë të ditur se vendimi do të nënshkruhet zyrtarisht të mërkurën në Strasburg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi. Vendimin  për liberalizimin  e vizave e kanë përshëndetur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani.
 
“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024”, ka shkruar ai në Twitter. Presidentja Osmani, ka vlerësuar se vendimi për liberalizimin e vizave është fitore, jo vetëm e Kosovës, por edhe demokracinë dhe unitetin në Evropë. “Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.”, ka shkruar presidentja Osmani. 
 
Vendimin për liberalizimin e kanë mirëpritur edhe partitë politike.  Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024. Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do të jenë të njëjta me ato të qytetarëve të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, duke u lejuar qytetarëve të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditësh. 
 
GYLTENE SINANI