Mesjava rikthen Ligën e Kampioneve

18.04.2023 15:06

E marta rikthen më të mirën e futbollit evropian në fushat e blerta të kontinentit të vjetër...

E marta rikthen më të mirën e futbollit evropian në fushat e blerta të kontinentit të vjetër, teksa do të luhen takimet e kthimit të dy prej çifteve të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Milani dhe Reali i Madridit do të udhëtojnë përkatësisht drejt Napolit dhe Londrës duke synuar të mbrojnë fitoren e arritur në ndeshjen e parë në fushën e tyre. Si Milani, ashtu edhe Napoli u ndalën në barazime në fundjavë në kampionat, por të dy trajnerët i lanë në stol ose i aktivizuan shumë pak titullarët e mesjavës, duke menduar për ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampioneve.
 
Për trajnerin e kuqezinjve, Stefano Pioli, shqetësim mbetet sulmuesi Olivier Zhiru, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve është gati për ndeshjen. Ndërkaq, për homologun e tij, Luçiano Spaleti, lajmi i mirë është që rikthehet sulmuesi Osimhen. Në duelin tjetër, Çelsi vjen në “Stemford Bridxh” duke synuar përmbysjen e humbjes 0-2 të pësuar para një jave në Madrid përballë Realit, por skuadra e trajnerit të rikthyer, Frenk Lampard, ka pësuar 3 humbje në po aq ndeshje nën drejtimin e tij dhe atmosfera tek “Blutë” e Londrës nuk është më e mira e mundshme në prag të një përballjeje kaq të rëndësishme.