Maqedoni

Të rinjtë e “Grupit të zjarrit” kritika ndaj ministrave të BDI-së dhe Qeverisë

18.04.2023 15:19

I ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” ka vazhduar me kritikat ndaj ministrave të BDI-së, dhe të Qeverisë në përgjithësi...

I ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” ka vazhduar me kritikat ndaj ministrave të BDI-së, dhe të Qeverisë në përgjithësi. Kësaj here përmes forumit rinor ato kanë drejtuar akuza ndaj ekzekutivit se në vend që të hapin biblioteka, e vende të punës, pushteti po hapë kazino e bastore duke e rrezikuar kështu edhe gjendjen financiare, por edhe shëndetin mendor të rinisë, e cila edhe ashtu po e braktis vendin. 
 
“Ju po na hapni bastore, po na rrezikoni ardhmërinë tonë dhe po na e cenoni statusin financiar, si dhe shëndetin mendor.  Po themelohet një video lotari nga ana e Qeverisë së RMV-së, me të cilën nënkuptojmë se aparatet do t’i kemi çdo kund, që do të thotë më shumë kemi kazino dhe bastore, sesa vende ku mund të rinjtë t’i zhvillojnë mendimet e tyre. Kemi politika se si të themeloni më shumë kompani për lojërat e fatit, e ato t’i udhëheqin njerëzit e afërt të juaj, nga të cilët tre anëtarë së video lotarisë së re, janë pikërisht të afërmit e ministrave të BDI-së.”, - deklaroi Jetmir Asani nga “Grupi i zjarrit”.
 
Ata, këtë qëndrim e bazojnë te një anketë e realizuar nga Lëvizja Antibixhoz, ku theksohet se 58 për qind e të anketuarve të paktën njëherë kanë luajtuar kazino, bastore apo online kazino, ndërsa 67 për qind e të anketuarve kanë pohuar se kanë luajtur kazino për herë të parë nga mosha 8 deri më 16 vjet. Sipas të rinjve në “Grupin e zjarrit” në RMV ka mbi 1.200 kazino, bastore apo online kazino, ndërsa ka 109 shkolla të mesme, 227 biblioteka dhe vetëm 20 qendra rinore. 
 
FITIM KRYEZIU