Maqedoni
Korridori 8, Kuvendi shtyn punimet për ndryshimet ligjore
18.04.2023 15:45
Qeveria s’do të heq dorë nga ndryshimet e ligjit për marrëdhënie pune edhe pse komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale...

Qeveria s’do të heq dorë nga ndryshimet e ligjit për marrëdhënie pune edhe pse komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale sot shtyu punimet për këtë propozim-ligj si pasojë e amendamenteve të shumta të opozitës maqedonase. Ndryshimet ligjore do të miratohen që kompanitë “Behtel dhe Enka” më shpejtë të ndërtojnë autostradat.
Kovaçevski: S’heqim dorë nga ndryshimet ligjore
Kryeministri nuk jep detaje se si do të veprohet që ligji të marrë pëlqimin e deputetëve, por thotë se projektet e gjitha korridoreve do të realizohen.
“Cilat do të jenë hapat e mëtejmë me qëllim miratimin e zgjidhjes e cila do të mundësonte që sa më shpejtë dhe në mënyrë sa më produktive të ndërtohen këto autostrada dhe projekte të tjera strategjike, do të informoheni me kohë. Megjithatë përcaktimi i kësaj qeverie dhe shumicës progresive parlamentare është që kjo të realizohet në interes të institucioneve, qytetarëve dhe kompanive për të cilët praktikisht po bëhen këto korridore që të mund t’i shfrytëzojnë në të ardhmen.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
E majta dhe VMRO bllokojnë ndryshimet ligjore
VMRO-DPMNE porositi se s’do të bllokojë ndryshimet, por do të përmirësojë dhe ka propozuar tre amendamente, përderisa e Majta ka dorëzuar mbi 1.100 amendamente. Kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se pushteti frikohet nga paparashikueshmëria e deputetëve të partisë së tij në foltore të Kuvendit, duke shtuar se nuk heqin dorë nga amendamentet e tyre. Ndryshimet ligjore për marrëdhënie pune, parashikojnë rritjen e orëve të punës gjatë javës në 60, në kohën kur pritet të nisin në praktikë punimet e Korridorit 8.
MERAL ISMAILI
