Maqedoni

MPJ: VMRO-së i japim edhe 24 orë për kërkimfalje

18.04.2023 16:06

Vazhdojnë përplasjet mes VMRO-DPMNE-së për të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në raport ndërkombëtar...

Vazhdojnë përplasjet mes VMRO-DPMNE-së për të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në raport ndërkombëtar. Pasi kaloi një ditë afat që VMRO-DPMNE t’i kërkojë falje publike MPJ-së, kjo e fundit ia zgjat afatin opozitës maqedonase edhe për 24 orë të tjera.   
 
“Si leksion për më tutje, për një parti të kapur në vepër se si gënjen, lëmë edhe 24 orë për t’i kërkuar falje Ministrisë dhe mbi të gjitha publikut. Akuzat e VMRO-DPMNE-së paraqesin përpjekje që me vetëdije ngrenë tensione  dhe përçarje ndëretnike në shoqëri.”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
 
VMRO-DPMNE: Prej Osmanit duam falje dhe dorëheqje
 
Kërkimfalje shoqëruar me dorëheqjen e Osmanit, këmbëngulë VMRO-DPMNE-ja.
 
“Kërkojmë falje, përgjegjësi dhe dorëheqje nga Bujar Osmani për shkeljen  e imazhit të shtetit  përmes mosrespektimit të kushtetutës dhe ligjeve.”, - deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. 
 
Dy palët në konflikt verbal sqarohen se kush ka të drejtë. VMRO-DPME-ja duke u thirrur në kushtetutë thotë se përveç maqedonishtes s’ka gjuhë tjetër zyrtare për përdorim ndërkombëtar. Madje, ata sqarojnë për Osmanin se as Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk thotë askund se gjuha e 20% mund të përdoret në komunikim ndërkombëtar. 
 
“Sipas kushtetutës, gjuhë e vetme zyrtare për përdorim ndërkombëtar  është maqedonishtja. Kjo është e vërtetuar me amendamentin 5,  alinea 1. Në këtë amendament,  alinea 1  qartë  thotë se gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë dhe në raportet ndërkombëtare është gjuha maqedonase. Alinea 2  thotë se gjuhë zyrtare në territorin e Maqedonisë  është gjuha që e flasin  20 %  e qytetarëve, por jo gjuhë  zyrtare për përdorim ndërkombëtar. Osmani mos ta manipulojë opinionin, sepse as Ligji për përdorimin e gjuhëve në asnjë nen, në asnjë aline nuk përmend  gjuhë tjetër për përdorim ndërkombëtar  në vend të maqedonishtes.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. 
 
Por, nga Ministria e Jashtme mbrohen se gjuhët që i përdorë Osmani në paraqitje publike për media ia garantojnë ligjet.
 
“Në daljet publike para publikut vendas, ministri flet në të dyja gjuhët zyrtare, gjë që shihet, ndërsa për mediat gjithmonë ofrohet një përkthim  i përshtatshëm në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zbatimin e gjuhëve.”,  thuhet në reagimin e MPJ-së.
 
Kovaçevski: VMRO nxit tensione etnike
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbështet përgjigjen e MPJ-së dhënë opozitës për këtë çështje. Sipas tij, VMRO-DPMNE dëshiron tensione etnike, pasi  që çështja me fqinjët nuk pati sukses.
 
“Unë shpesh në takime ndërkombëtare drejtohem edhe në maqedonisht edhe në anglisht. Vlerësoj se atë që e bën opozita është një nga vazhdimësitë e histerisë që dëshiron ta shpërndajë në  shoqëri. Përgjigjja e ministrit për punë të jashtme që e bëri gjatë pashkëve ishte adekuate.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe Ministrisë së Jashtme janë aktualizuar që nga e premtja e kaluar me vizitën e ministrit të jashtëm spanjoll, Albarez Bueno. Sipas MPJ-së, Osmani edhe nën funksionin e zëvendëskryeministrit  për eurointegrime edhe si ministër i  jashtëm zbaton të njëjtën praktikë gjatë paraqitjes për media dhe për opinion.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU