Botë
Mbi 200 të vdekur në Sudan, dy gjeneralë rival në luftë për pushtet
18.04.2023 17:16
Seri shpërthimesh kanë goditur kryeqytetin sudanez, Kartum. Luftimet kanë hyrë në ditën e katërt....

Seri shpërthimesh kanë goditur kryeqytetin sudanez, Kartum. Luftimet kanë hyrë në ditën e katërt. Deri tani, mbi 200 persona janë vrarë në katër ditët e konfliktit. Luftimet po zhvillohen midis forcave të dy gjeneralëve rivalë që morën pushtetin përmes një grusht shteti në 2021: shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, që komandon grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte folur me të dy gjeneralët sudanezë, të cilëve u ka kërkuar armëpushim prej 24-orësh që të largohen civilët.
“Unë nënvizova gjithashtu në të dyja thirrjet, përgjegjësitë që mbajnë forcat luftarake sudaneze për të garantuar sigurinë e Sudanit dhe sigurinë e ShBA-së dhe diplomatëve që janë rezidentë në Sudan, si dhe për stafin e OKB-së dhe partnerët e tjerë humanitarë. U kërkova të dy gjeneralëve armëpushim prej 24 orëve për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Udhëheqësi i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) paraushtarake të Sudanit, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalot i është përgjigjur thirrjes së Blinken.
“Rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur civilët e pafajshëm në zonat tona të kontrollit, duke reflektuar respektin tonë për dinjitetin njerëzor dhe shenjtërinë e jetës.”.
Megjithatë, ushtria mohoi këtë pretendim. Luftimet po zhvillohen në mbarë Sudanin dhe është rritur frika se ky konflikt mund të përhapet në mbarë rajonin, teksa në Sudan po kryhen sulme ajrore dhe ka luftime me artileri të rëndë. Mijëra civil kanë mbetur të ngujuar brenda, pa ujë dhe ushqim.
"Mijëra e mijëra civilë janë të bllokuar në shtëpitë e tyre për t’u mbrojtur nga luftimet, pa energji elektrike dhe të paaftë për të dalë jashtë dhe të shqetësuar për mungesën e ushqimit, ujit të pijshëm dhe ilaçeve. Luftimet lindin nga lojërat e pushtetit dhe interesat personale që shërbejnë vetëm për të tjetërsuar aspiratat demokratike të popullatës.”, - theksoi Seif Magango nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
Luftimet nisën të shtunën pas një mosmarrëveshjeje mes gjeneralëve Burhan dhe Dalgo lidhur me integrimin e planifikuar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt. Ky është një prej kushteve kyçe të një marrëveshjeje finale që synon t’i japë fund krizës së shkaktuar që nga puçi ushtarak i vitit 2021. Të dyja palët e përfshira në konflikt pretendojnë se kanë nën kontroll vende kyçe, përfshirë edhe aeroportin në Kartum dhe pallatin presidencial, por këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
FARIJE DAUTI BAKIJU
