Botë

Ministri i jashtëm kroat në Tiranë, mbështetje integrimit evropian të Shqipërisë

18.04.2023 18:21

Kroacia do të ofrojë ekspertizë teknike për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian....

Kroacia do të ofrojë ekspertizë teknike për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Lajmin e bëri me dije ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka, gjatë deklaratës së përbashkët me homologun kroat, Gordan Grlic-Radman.
 
“Diskutuam për procesin e integrimit dhe më lejoni t’ju kujtoj se Rama i ka kërkuar homologut ndihmën e ekspertëve negociator për procesin tonë. Çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit, në fokus të agjendës sonë dypalëshe. Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE, jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete.”, - deklaroi ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka.
 
“Çështjet e stabilitetit, sigurisë në fushën e energjisë, infrastrukturën dhe bashkëpunimi janë në qendër të rrethanave gjeopolitke. Kemi pasur lidhje të forta, Kroacia do të mbështes rrugëtimin drejt BE-së, mbetemi aktiv për të ndihmuar në të gjitha negociatat.”, - theksoi ministri i punëve të jashtme – Kroaci, Gordan Grlic-Radman. 
 
Ndër të tjera, palët kanë rënë dakord edhe për një takim të përbashkët mes dy qeverive, por pa dhënë detaje.
 
“Diskutuam edhe për një numër aktivitetesh që do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Ndërkohë që vlerësuan trendin rritës të shkëmbimeve, duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tjetër bashkëpunimin ekonomik e tregtar, ndaj do të mbajmë komisionin e gjashtë në gjysmën e dytë të këtij viti.”, - u shpreh ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka.
 
Ministri kroat u prit edhe nga presidenti i republikës, Bajram Begaj, i cili u ndal tek bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë në këtë drejtim.
 
LULJETA NDOKA