Botë
Marrëveshja Kosovë - Serbi, BE formon komisionin për monitorimin e zbatimit
18.04.2023 21:45
Themelohet Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë...

Themelohet Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano njoftoi se detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj.
“Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, ka thënë Stano.
Sipas tij, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.
Stano, po ashtu, ka konfirmuar se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 2 maj në Brusel.
