Kampionati Zgjedhor në mundje: KM Liria pret sa më shumë vende të para

14.02.2015 16:48

Gjatë ditës së nesërme, në palestrën sportive “Shaban Trstena”, në Komunën e Çairit, në organizim të klubit të mundjes Liria, do të mbahet Kampionati Zgjedhor për seniorë...

Në të njejtin, mundësit të cilët do të arrijne rezultatet më të mira në kategoritë përkatëse, do të fitojnë të drejtën që të përfaqësojnë vendin tonë në garat ndërkombëtare gjatë vitit.

Në mesin e 12 klubeve pjesëmarrëse, Liria, kampion I vitit të kaluar, edhe këtë vit, është favorit kryesor për të rrëmbyer sa më shumë vende të para, bashkë me Ballkanecin e Shtipit. Kryetari i klubit, Betim Vrenezi, shpreson në rezultate të mira, pasi trajneri Lulzim Vrenezi, në rradhët e veta posedon mundës të rinj, por me përvojë të madhe nga gara të tilla.

“Ky vit do të jetë shumë I rëndësishëm për klubin e mundjes Liria. Për ate, kemi vendosur që ne të jemi organizator të kampionatit zgjedhor për seniorë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe mund të them se të gjithë janë në moshën e të rinjëve, por falë kualitetit të lartë të tyre, ata do të marrin pjesë në garat e seniorëve. Nga ata që presim më së shumti nesër, do të dalloj Jasin Rexhallarin, Raif Kamberin dhe Besmir Veselin, por kemi shpresa të mëdha edhe te të tjerët. Do të jetë një konkurencë shumë e madhe, ku do të marrin pjesë 12 klube dhe rreth 80 mundës”, është shprehur Betim Vrenezi.

Shikuesit të cilët do të vijnë nesër në palestër, do të kenë ç`farë të shohin, ka shtuar më tutje Betim Vrenezi.

“Komunës së Çairit i kanë munguar organizime të këtilla. Shpresoj të kalojmë mirë sikur vitin e kaluar kur e mbajtëm Kampionatin Shtetëror. Kemi një publik të mrekullueshëm dhe e presim përkrahjen sa më të madhe të tyre nesër. Apeloj se mysafirët që do të jenë nesër në palestër, do të kenë ç`farë të shohin, duke shtuar që klubi i mundjes Liria, dalëngadalë po kthehet në rrugën e sukseseve të mëdha”, ka përfunduar Vrenezi.

Garat e Kampionatit Zgjedhor të Maqedonisë në mundje për seniorë, do të nisin nesër në orën 11-të, në palestrën sportive “Shaban Trstena” në Çair. (Mustafa Ademi, TVM2)