Maqedoni

Rasti në spitalin e Tetovës, panelistët: Shoqëria ka krizë të etikës

19.04.2023 14:40

Rasti me incizimin e grave shtatzëna në repartin e gjinekologjisë në Tetovë jep alarmin...

Rasti me incizimin e grave shtatzëna në repartin e gjinekologjisë në Tetovë jep alarmin se shoqëria jonë ka një krizë të etikës së profesionit dhe se shteti duhet të merr masa urgjente në aspekt të mbrojtjes së privatësisë, vlerësuan panelistët në “Argument”. Sociologu Ali Pajaziti vlerëson se në tentim për të qenë “in”, shohim veprime jonormale nëpër rrjete sociale, pasojat e të cilave mund të jenë fatale për shoqërinë. 
 
“Prej sëmundjeve apo patologjive të kohës tonë është që të jemi në epiqendër të ngjarjeve dhe të ndodhive, gjë që në këtë rast është evidente dhe normalisht ka marrë një jehonë shumë të keqe, shumë negative, një reagim të ashpër nga mediat deri te institucionet dhe instancat, por kjo nuk mjafton, duhet ndërmarrë shumë masa, që të mos na përsëriten raste të këtilla, si rasti në Tetovë.”, - deklaroi profesori universitar, Ali Pajaziti. 
 
Rasti me Tetovën nuk është i vetëm i këtij lloji. Tiktoku po e shtrinë influencën e tij negative çdo ditë e më shumë, e viktimat më të mëdha të këtij rrjeti social janë fëmijët, theksoi mësimdhënësi Satki Ismaili. Sipas tij, institucionet urgjentisht duhet të ndalojnë përdorimin e rrjeteve sociale nëpër institucione shtetërore. 
 
“Të sillet ligj që në institucione shtetërore, në spitale, gjykata, nëpër shkolla, të mos kenë të punësuarit të drejtë t’i kenë këto aplikacione dhe të ndërpriten. Pikërisht po them në çështjen e arsimit, unë kam qenë udhëheqës i një shkolle fillore në Maqedoni, ku ndër të parët ndaluam me organet shkollore, me konsultim të organeve tjera, përdorimin e celularit në shkollë.”, - deklaroi mësimdhënësi, Satki Ismaili. 
 
Një ndër masat që mund të merr shteti sipas gazetares Elida Zylbeari është edhe edukimi mediatik. Zylbeari potencoi se edhe mediat duhet të jenë më të kujdesshme gjatë raportimit të ngjarjeve të prekshme. 
 
“Është shumë me rëndësi që të transmetohet ngjarja ashtu siç e kanë thënë autoritetet dhe siç e thonë burimet e sakta dhe burimet që kanë kredibilitet për të folur, e jo siç e pamë për fat të keq në mediat tona, kishte shumë nxitje dhe tendenca për të nxitur komente në rrjetet sociale, kjo është më e keqja e mediave, po mediat duhet të transmetojnë ngjarje, media duhet t’i kushtojë rëndësi, por mënyra e transmetimit duhet të jetë shumë profesionale.”, - deklaroi gazetarja, Elida Zylbehari. 
 
Edukimi mediatik sipas panelistëve do të kontribuojë në atë që opinioni të arrijë të dallojë lajmet e rreme që plasohen nëpër rrjete sociale, por edhe të zhvillojë të menduarit kritik në mediat që konsumojmë. 
 
ERSAN PAJAZITI