Maqedoni

Korridoret 8 dhe 10-D, Kovaçevski: Do të realizohen edhe me ligjet aktuale

19.04.2023 15:14

Korridoret 8 dhe 10-D do të ndërtohen duke zhgënjyer të gjithë skeptikët...

Korridoret 8 dhe 10-D do të ndërtohen duke zhgënjyer të gjithë skeptikët, të cilët nuk duan të shohin vendin me infrastrukturë moderne, të lidhur me vendet e rajonit dhe pjesë të BE-së, është i prerë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas kreut të ekzekutivit nuk ka asgjë kontradiktore me ligjet aktuale pasi të njëjtat mundësojnë  orar pune mbi 40 orë me vullnet të punëtorit.
 
“Për momentin, në shtetin tonë ne kemi ligje të vlefshme dhe nëse miratohen ndryshime ligjore të cilat do të parashikojnë kushte të reja të punës, atëherë do të aplikohen ato kushte të punës. Ndërkaq edhe tani, në përputhje me ligjet mund të punohet më shumë se 40 orë, gjegjësisht 50 orë. Andaj ka edhe një numër të madh të punëtorëve të cilët punojnë edhe 50 orë me përzgjedhje personale.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Milloshovski: Dorëzoni marrëveshjen, të nisim debatin
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kushtëzojnë qeverinë. Si posedues të certifikatave të sigurisë, kërkojnë marrëveshjen që më pas të nisin debatin e gjatë.
 
“Ne kemi të drejtë të marrim dokument që konsiderohet sekret shtetëror apo klasifikim më të ulët dhe kërkojmë që të na dorëzohet marrëveshja. Nuk duam që deputetët në Kuvend të votojnë për diçka të panjohur, gjegjësisht për ligje që kanë të bëjnë me marrëveshjen, ndërkaq e njëjta të mbahet sekret. Për aq sa qeveria e mban marrëveshjen të fshehtë, po aq të mëdha janë dyshimet se në marrëveshje ka klauzola të dëmshme ndaj buxhetit të Maqedonisë dhe se bëhet për korrupsion dhe krim.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski. 
 
Boçvarski: Opinioni do të njoftohet me kohë
 
Ministri Boçvarski nuk sjell detaje për ndërtimin, por thotë se opinioni në kohë do të informohet për të gjitha aktivitetet, pasi siç tha interes strategjik i shtetit është realizimi i shpejtë dhe efektiv i projektit.
 
“Për gjithçka do t’ju informojmë dhe do t’ju thërrasim ku të vini dhe bashkë të shohim punët ndërtimore, të informojmë deri ku është e projektuar rruga ndërtimore, shpronësimi ashtu që opinioni për gjith-çka do të informohet.”, - u shpreh ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski. 
 
51% të punës ndërtimore do të realizohet nga ndërtues të vendit, ndërkaq pjesa tjetër nga konzorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”. Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore publikoi shpalljen për angazhimin e punëtorëve për ndërtimin e autostradave. Shpallja do të zgjasë deri më 25 prill, ndërkaq marrëveshja vlen deri në janar të vitit 2028, atëherë kur duhet të përfundojë projekti. Kërkohet kuadër nga fusha e ndërtimtarisë, administratës dhe shoferë.
 
MERAL ISMAILI