Milani në gjysmëfinale të Champions League

19.04.2023 15:21

E marta ka rikthyer futbollin e Ligës së Kampioneve dhe vëmendja e kontinentit ka qenë në Napoli dhe në Londër...

E marta ka rikthyer futbollin e Ligës së Kampioneve dhe vëmendja e kontinentit ka qenë në Napoli dhe në Londër, aty ku janë luajtur edhe ndeshjet e kthimit të dy prej çifteve të çerekfinaleve. Në derbin e dy skuadrave italiane, Milani erdhi me synimin për të mbrojtur atë fitore minimale të arritur javën e shkuar dhe ia arriti qëllimit, duke u plasuar në gjysëmfinale, ku do të luaj për herë të parë pas plotë 16 vitesh. Ndonëse Napoli ka bërë një vëllim më të madh loje në pjesën e parë, ishte Milani që ka qenë më i rrezikshëm dhe, ndonëse Zhiru ka shpërdorur një 11-metërsh e më pas një rast të mirë për të shënuar, francezi ia ka dalë ta gjejë më në fund rrugën e rrjetës në minutën e 43-të, pas një depërtimi fenomenal dhe asisti të Rafael Leaos.
 
Në pjesën e dytë, ishte Napoli që këmbënguli dhe fitoi një 11-metërsh 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, por portieri Menjonj i tha "Jo" Khavartskhelias nga pika e bardhë, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e tij. Ndonëse Osimhen gjeti  golin në minutën e tretë shtesë, ishte shumë pak dhe shumë vonë për Napolin, që, përtej barazimit 1-1 në fushën e vet, u eliminua në çerekfinale, pasi ishte Milani që kualifikohet për më tej në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.