Maqedoni

Kuvend, nis shqyrtimi i amendamenteve për autostradat

19.04.2023 15:48

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D, ka ngritur diskutime të ashpra edhe në Komisionin për Çështje Ekonomike...

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D, ka ngritur diskutime të ashpra edhe në Komisionin për Çështje Ekonomike, ku janë përplasur ashpër deputetët e VMRO-DPMNE-së me deputetin e BDI-së, Bedri Fazli. Bojan Stojanoski dhe Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE  theksuan se shumica aktuale po përpiqet të krijojë një perceptim të rrejshëm se gjoja jemi kundër ndërtimit të këtyre korridoreve. VMRO-DPMNE, sipas tyre dëshiron transparencë dhe publikimin e marrëveshjes. 
 
“Nuk është askush kundër këtij projekti, siç po tentoni ta paraqitni në opinion ju dhe aleatët tuaj të LSDM-së, por problemi qëndron tek këto propozim-ligje të cilat si duket dikush ua ka sjellë vetëm t’i nënshkruani dhe nuk keni idenë se çka përbëjnë, japin sinjale të qarta dhe dyshime për korrupsion. Ju po ndryshoni ligjet për koncesion dhe po favorizoni koncesionerët që do të jenë në këtë projekt dhe kjo po gjeneron korrupsion.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski. 
 
Por, për deputetin e BDI-së, Fazli, dyshime për korrupsion çdoherë ka pasur, por është mirë që këto fakte t’i dorëzojnë në gjykatë. 
 
“Dyshime ka pasur, mund të ketë dhe do të ketë në të ardhmen korrupsion dhe korrupsioni nuk ndalet asnjëherë. Për sa i përket korrupsionit edhe vet z.Artan Grubi në seancën plenare i tha kështu, jeni shumë të zëshëm, por pak të guximshëm. Nëse keni indikacione, keni argumente që me të vërtetë ka korrupsion, ka ky shtet institucione, depononi ato të shohim se kush ka të drejtë.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Bedri Fazli. 
 
Por, për deputetin e LSDM-së Dime Velkovski, nuk mund të flitet këtu se “Behtel dhe Enka” vjen në RMV dhe do të bëjë çka të ketë dëshirë. 
 
“Nuk do të mund të gërmoj kudo që t’i kujtohet, vetëm nëse shteti nuk e lejon, por nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Aspektin financiar që do të duhet t’i japë kontraktori janë të njëjta pra 70 për qind shkojnë në arkën e shtetit, ndërsa 30 për qind tek komuna ku do të punohet dhe të njëjtat kushte i kishte edhe “Sino Hidro” dhe i vetmi dallim është që këtu kompania realizuese është zgjedhur drejtpërdrejt dhe jo me shpallje publike.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Dime Velkovski.
 
Në komisionin për çështje ekonomike do të vazhdojë debati mbi amendamentet e parashtruara nga deputetët. Amendamente kanë dorëzuar të gjitha partitë, por shumicën prej tyre VMRO-DPMNE. 
 
FITIM KRYEZIU