Përgjimi dhe "Puç", Ademi: Zgjidhje me mbikqyrje nga jashtë; Thaçi: Gjykatë të posaçme që do hap rastet nga '92-ta
Përgjimi është vepër antikushtetuese dhe antiligjore, e cila duhet sanksionuar...

Përgjimi është vepër antikushtetuese dhe antiligjore, e cila duhet sanksionuar. Për këtë bien dakord të dyja partitë politike shqiptare parlamentare BDI dhe PDSh, por përderisa BDI kërkon zgjidhje politike dhe juridike me mbikqyrje ndërkombëtare, PDSh kërkon themelimin e një gjykate të posacme, e cila do të shqyrtojë të gjitha aferat e përgjimit që nga viti 1992.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi dhe kreu i PDSh-së Mendu Thaçi kanë komentuar zhvillimet e fundit në vend, për RTV 21.
“Çështja e përgjimve nëse ka ndodhur, sic pretendon opozita, që duhet të verifikohet nga institucionet e drejtësisë, sigurisht që është kundërligjore, por edhe vet publikimi i tyre në opinion është kundërligjor. Kështuqë si subject politik, konsiderojmë që për momentin ndoshta zgjidhja do të jetë politike, mirëpo nuk duhet përjashtuar edhe zgjidhjen juridike, për gjithë procesin dhe prandaj insistojmë në mbikqyrjen ndërkombëtare të gjithë këtij procesi, por edhe involvimin e drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar për të rruajtur në rradhë të parë stabilitetin, por edhe për të ndërtuar besimin në gjithë këtë proces” – tha sekretari i BDI-së, Abdylaqim Ademi
“Ideja ime është që të ngrisim një gjyq special me vëzhgim dhe asistencë të plotë ndërkombëtare, i cili gjyq do të merret me të gjitha këto cështje prej vitit 1992. Unë i kam dokumentacionet zyrtare ku ministra, kryeministra, shefi i shërbimit secret është nënshkruar duke shkelë kushtetutën e një shteti “demokratik”dhe është bërë ndjekje, survejim e kështu me rradhë” – tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Sipas Thaçit, kjo situatë flet se në Maqedoni është degjeneruar demokracia dhe shteti ligjor, ndërsa opinioni ka mungesë totale të kredibilitetit në institucionet vendimmarrëse. Sipas tij këto janë parashenja të mungesës së perspektivës dhe bllokimit të procesit integrues. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
