Botë
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, 10 vjet nga marrëveshja e parë në Bruksel
19.04.2023 17:14
Sot bëhen dhjetë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.....

Sot bëhen dhjetë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiq i Serbisë, nënshkruan marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve. Marrëveshja e 19 prillit 2013, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri. Ndërsa, 10 vite pas, aktuale ende është normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, për çka janë të angazhuara BE dhe ShBA-të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. Kështu citohet të ketë thënë Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.
“ShBA-ja dhe BE-ja presin nga të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç kanë konfirmuar se do të bëjnë dy udhëheqësit në takimin e 18 marsit në Ohër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASh, duke theksuar se ShBA-ja mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka formuar një Komision të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, në takimin e tyre në Ohër, më 18 mars. Detyra e Komisionit të Përbashkët është që të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e zbatimit të saj.
GYLTENE SINANI
