Botë
Përshkallëzohet lufta në Sudan, 270 të vrarë dhe 2.600 të plagosur
19.04.2023 17:38
Luftimet në Sudan kanë hyrë në ditën e pestë...

Luftimet në Sudan kanë hyrë në ditën e pestë. Deri tani mbi 270 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 2.600 te tjerë janë plagosur. Luftime për pushet mes dy gjeneralëve nuk kanë kursyer nga bombardimet as infrastrukturën, shkollat dhe spitalet. Fatkeqësisht mungojnë edhe ekipe mjekësore në spitale për të trajtuar të plagosurit, sepse një pjesë e tyre janë vrarë.
“Situata në Republikën e Sudanit është thellësisht shqetësuese. Qendra e Operacioneve Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë të Sudanit raporton se janë vrarë edhe disa punëtorë shëndetësorë. Spitalet në Khartoum që presin civilë të lënduar po raportojnë mungesë të personelit mjekësor dhe furnizimeve mjekësore që shpëtojnë jetën. Mungesa e karburantit për gjeneratorët spitalorë, si dhe ndërprerjet e ujit dhe energjisë elektrike, thuhet se po ndikojnë gjithashtu në funksionalitetin e objekteve shëndetësore.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Luftimet po zhvillohen midis forcave të dy gjeneralëve rivalë që morën pushtetin përmes një grusht shteti në 2021: shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, që komandon grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. Luftimet janë përshkallëzuar,pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve që gjeneralët të ndërpresin luftën.
"Ne kemi qenë të qartë në kontakt me kolegët tanë në Khartoum pothuajse vazhdimisht gjatë gjithë mëngjesit. Deri tani, luftimet në Sudan, duke përfshirë Khartoum dhe vende të tjera të ndryshme, po vazhdojnë. Asnjë shenjë e vërtetë për zbutjen e luftimeve. Të gjitha palët duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë detyrimet për të garantuar sigurinë e të gjithë Kombeve të Bashkuara dhe personelit të lidhur, objektet dhe asetet e tyre dhe të gjithë përfaqësuesit e punonjësve humanitar në terren.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Përfaqësuesi i OKB-së, Volker Curtis, mbetet në Khartoum. Ai vazhdon të angazhohet me gjeneralin Al-Burhan dhe gjeneralin Hamdan Daglo dhe shtetet e tjera anëtare kyçe në terren në përpjekjet për të siguruar de-përshkallëzimin e situatës dhe ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve.
FARIJE DAUTI BAKIJU
