Escobar: SHBA pret propozim nga Kosova për asociacionin e komunave me shumicë serbe
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar....

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.
“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre”. - tha Escobar.
Ai tha se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione. Megjithatë Escobar tha se bojkoti nuk duhet të vonojnë themelimin e Asociacionit. Escobar e vlerësoi marrëveshjen e Ohrit si “të jashtëzakonshme” dhe tha se nëse ajo zbatohet siç duhet, do të sillte “një epokë të re në marrëdhëniet paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe do t’i hapte rrugën të ardhmes së tyre euro-atlantike.
