Bekteshi: Subvencione për masa për efikasitet energjetik
Qeveria do të ndajë para për vendosjen e dritareve PVC...

Qeveria do të ndajë para për vendosjen e dritareve PVC, kolektorëve diellorë, për blerjen dhe instalimin e fotovoltaikëve. Këto masa do të zbatohen me qëllim të rritjes së efikasitetit energjetik dhe të zvogëlimit të konsumit të energjisë së furnizuesit universal të furnizuar nga EMV.
“Për instalimin e dritareve PVC apo të aluminit janë planifikuar 25 milionë denarë për mbi 1.200 amvisëri. Personat që do të blejnë apo instalojnë dritare PVC do t’u sigurojmë kthim të mjeteve deri në 50% nga shpenzimi, por jo më shumë se 20 mijë denarë për amvisëri. Për instalimin e sistemeve kolektore termike diellore janë planifikuar 15 milionë denarë për mbi 1.000 amvisëri. Bashkëfinancimi është deri në 30%, por jo më shumë se 15.000 denarë për familje. Masa e tretë është rimbursimi i kostos së një pjese të kostove për blerjen dhe instalimin e termocentraleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike deri në 6 kilovat. Këtu janë planifikuar 30 milionë denarë dhe do të përfshihen mbi 400 amvisëri. Kthimi do të jetë deri në 30%, por jo më shumë se 80.000 denarë.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Gjithashtu, banorët e Strumicës dhe Kumanovës do të subvencionohen për kyçjen në rrjetin e shpërndarjes së gazit natyror. Për këtë masë janë paraparë subvencione për kyçje në rrjet në vlerë prej 70% të kostos, por jo më shumë se 25.000 denarë. Krahas kësaj, ministri Bekteshi rikujtoi se sipas Rregullores së re dhe akteve të tjera ligjore, obligim i furnizuesit universal të energjisë elektrike është që të marrë përsipër energjinë e tepërt të prodhuar nga amvisëritë, t’ua paguajë energjinë e prodhuar ose t’i kompensojë ata që vendosin për investime të tilla. (Ersan Pajaziti, TVM2)
