Konjufca: Pa njohjen defakto nga Serbia, nuk ka Asociacion
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca...

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit pa u arritur njohja defakto e Shtetit të Kosovës nga Serbia, siç parashihet me marrëveshjen e Ohrit.
Kjo çështje do të sqarohet në takimin e 2 majit në Bruksel, thotë kryeparlamentari Konjufca.
“Mendoj që në dy binarë është e ndërtuar marrëveshja. Binari i pare është njohja defakto nga ana e e Serbisë, kurse binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova, qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme në vitin 2013 e ka pranuar dhe kjo i referohet marrëveshjes së vitit 2013. Çka duhet të bëjë Kosova, është me treguar se nuk ka kurrfarë obligimi dhe të tregojë se nuk mundet të bëjë asnjë hap, nëse nuk realizohet ky binar i parë që është njohja defakto nga ana e Serbisë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca: Ekipi për draftin e Asociacionit mund të shkarkohet
Sa i përket ekipit menaxhues për hartimin e draftit të Asociacionit, Konjufca tha se nëse e sjell një version, siç ka qenë versioni i parë, i cili nuk është pranuar, ky ekip mund të shkarkohet nga Qeveria.
“Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionojë duke pa përbërjen e këtij menaxhment-team, ku është i përberë edhe nga deputete e Serbisë, kjo është e papranueshme për Kosovën. Ta shohim si shkon puna, por unë mendoj nëse ky menaxhmet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, unë mendoj që më e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment.”, - theksoi kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen më 2 maj në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në takim pritet të prezantohet edhe një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin e hartojnë i ashtuquajtur Ekipi Menaxhues, që udhëhiqet nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiq, për të cilin kryeparlamentari Konjufca është skeptik se mund të jetë i pranueshëm. (Gyltene Sinani, TVM2)
