Maqedoni

Fillon operacioni i përbashkët “Frontex” në RMV, Kovaçevski: “Frontex” mbron sigurinë dhe gjuhën tonë

20.04.2023 15:50

Maqedonia e Veriut është vendi që nuk është anëtare e BE-së...

Maqedonia e Veriut është vendi që nuk është anëtare e BE-së, por nënshkruan marrëveshje me Agjencinë Evropiane të Kufirit të Rojës Bregdetare. Operacioni “Maqedonia e Veriut 2023” do t’i mundësojë punë të përbashkët policisë kufitare të BE-së dhe vendit tonë, ku do të përmirësohet menaxhimi i migracionit ilegal, vlerësuan zyrtarët shtetëror.
 
“Për ne “Frontex” do të thotë mbrojtje e kufijve, integritetit territorial dhe sovranitetit, do të thotë përgjigje në kohë për të gjitha sfidat e sigurisë së vendit, kontroll të migracionit, do të thotë përballje me krimin ndërkombëtar, do të thotë njohje e përpjekjeve tona për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës maqedonase në rrugën tonë eurointegruese.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Spasovski: Përforcojmë kufijtë
 
“Edhe nëse e shihni indeksin ndërkombëtar të paqes do të shihni se RMV sipas të gjitha parametrave është kategorizuar si vendi i 35-të, sa i përket aspektit të sigurisë, andaj puna jonë është që të mbajmë dhe përmirësojmë këtë nivel të sigurisë dhe këtë siguri ta përmirësojmë.”, - theksoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski. 
 
Lejtens: Kalimet ilegale, tani më në kontroll
 
Me bashkëpunim më të fuqishëm do të lehtësohet  identifikimi i migrantëve, tha i pari i “Frontex”-it,  Hens Lejtens. Komisioni evropian ngjarjen e vlerëson historike për rrugën integruese të vendit.
 
“Është shumë e rëndësishme të bazohemi në informatat që i marrim nga kolegët e RMV-së. Kuptohet e shohim punën e përditshme, i ndjekim trendet  dhe siç kemi potencuar për momentin pjesa qendrore dhe lindore e rajonit të mesëm janë brenga jonë më e madhe për momentin.”, - u shpreh drejtori ekzekutiv i “Frontex”-it, Hens Lejtens. 
 
Johanson: Hap tjetër drejt BE-së
 
“Mund të sigurojmë se të gjithë do ta marrin mbrojtjen që e meritojnë dhe qytetarët të jenë të sigurt dhe të mbrojtur. Kjo është edhe një datë tjetër e rëndësishme për rrugën e RMV-së drejt BE-së.”, - theksoi eurokomesarja për punë të brendshme, Ilva Johanson. 
 
Parashikohet që gjatë vitit 2023, “Frontex” të caktojë më shumë se 100 oficerë, automjete patrullimi dhe pajisje speciale, të cilat do të rrisin ndjeshëm kapacitetet për zbulimin e aktiviteteve të paligjshme përgjatë kufirit shtetëror. Operacioni mund të vazhdojë edhe pas vitit 2024.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU