Botë
Takimi Stoltenberg-Zelensky, Stoltenberg: E ardhmja e Ukrainës është në NATO
20.04.2023 19:08
“E ardhmja e Ukrainës është në NATO”, kështu deklaroi shefi i aleancës ushtarake perëndimore...

“E ardhmja e Ukrainës është në NATO”, kështu deklaroi shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg, gjatë një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ai u zotua për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke thënë se, deri më tani, aleatët e NATO-s kishin trajnuar mijëra trupa ukrainase dhe kishin miratuar 65 miliardë euro ndihmë ushtarake. Stoltenberg vizitoi për herë të parë Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë 14 muaj më parë.
“Vendi i merituar i Ukrainës është në familjen euroatlantike, vendi i saj është në NATO. Me kalimin e kohës, mbështetja jonë do t'ju ndihmojë ta bëni këtë të mundur. Presidenti dhe unë diskutuam një shumë, Iniciativa e mbështetjes vjetore. Kjo do t'ju ndihmojë të kaloni nga pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike në standardet e NATO-s dhe të siguroni ndërveprim të plotë me aleancën. Është një dëshmi e përkushtimit afatgjatë të NATO-s ndaj Ukrainës.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Zelensky: NATO ta pranojë Ukrainën në aleancë në korrik
"Ne e kuptojmë këtë vizitë të sekretarit të përgjithshëm, e para që nga lufta në shkallë të gjerë, si një shenjë se Aleanca është gati të fillojë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Ukrainën. E gjithë Evropa dhe bota kanë nevojë për një kuptim të qartë se vetëm fitorja e Ukrainës do të shpëtojë shtetet dhe popujt e tjerë nga i njëjti shkatërrim, humbje dhe vdekje të tmerrshme që solli Rusia në tokën tonë.", - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka mbështetur Ukrainën gjatë gjithë luftës, me shtetet anëtare që dërgojnë armë, por jo trupa luftarake. Kievi ka bërë thirrje vazhdimisht për më shumë armë nga aleatët.
Ukraina e sheh të ardhmen e saj në aleancën e NATO-s dhe shtatorin e kaluar njoftoi për një kërkesë për anëtarësim të shpejtë pasi Kremlini tha se kishte aneksuar përjetësisht katër rajone ukrainase. Moska e konsideron NATO-n si një bllok ushtarak armiqësor, i prirë për të cenuar atë që e sheh si sferën e saj të ndikimit. Rusia nuk e komentoi menjëherë vizitën e Stoltenberg.
FARIJE DAUTI BAKIJU
