Botë

Vazhdon fushata për zgjedhje në Shqipëri

20.04.2023 19:30

Në mesin e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit...

Në mesin e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, partitë politike kanë zgjedhur të shmangin tubimet e mëdha dhe takimet t'i bëjnë me qytetarët. Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u kërkoi qytetarëve të zgjedhin për të ardhmen e familjes së tyre dhe jo politikanët “non-grata” si Sali Berisha.
 
“Kemi shumë për të bërë, i them të gjithëve mos mendoni partitë, mendoni familjet, nëse këtu është më pastër, nëse gjërat janë bërë më mirë, çerdhja, kopshti, nëse familja i ka punët mirë, çka po të duhen non-grata dhe spiuni i sigurimit. Nëse dikush të thotë hajde bëjmë çerdhe dhe shkolla do të shkosh me të, se nëse është dikush që të thotë eja bëjmë luftë me Amerikën, nuk besoj se ka dikush qejf të bëjë luftë me Amerikën.”, - deklaroi kandidati për kryetar bashkie, Tiranë, Erion Veliaj.
 
Nga ana tjetër PD-ja e përçarë duket se e ka përqendruar më shumë fushatën në akuzat brenda llojit. Enkelejd Alibeaj tha se Sali Berisha duke u bashkuar me Ilir Metën rrezikon të trafikojë votat e demokratëve drejt Partisë Socialiste.
 
“Edhe sot çfarë ndodh, një pjesë shkon dhe bashkohet me Ilir Metën, i cili nesër nuk do të bëjë gjë tjetër, votat e atyre njerëzve demokratë të cilët mund të jenë edhe të gënjyer edhe të keqinformuar, do të shkojnë të trafikohen tek Partia Socialiste. E kuptoni, pra se çfarë mëkat i madh politik është duke shkaktuar Sali Berisha.”, - theksoi kryetari në detyrë në PD, Enkelejd Alibeaj.
 
Ndërsa Sali Berisha ishte në Devoll të Korçës, ku denoncoi tenderët që sipas tij, Edi Rama u jep familjarëve.
 
“I thoni të heqë lopatën dhe të sjellë kandidatin këtu, bashkë me Elvisin të dalin para jush. Por, kanë frikë se i del kunati me rrogë të madhe, se del vetë me dy rroga. Nuk dalin dot në asnjë ballafaqim.”, u shpreh Sali Berisha nga Koalicioni “Bashkë fitojmë”.
 
 Edhe partitë e tjera i kanë përqendruar takimet me banorë e sipërmarrës të vegjël.
 
LULJETA NDOKA