Maqedoni
Besimtarët musliman festojnë Fitër Bajramin
21.04.2023 11:58
Besimtarët muslimanë në RMV festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha fetare...

Besimtarët muslimanë në RMV festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha fetare e cila vijon menjëherë pas mbarimit të agjërimit të Muajit të Ramazanit. Në ora 05.10 besimtarët në Shkup kanë falur namazin e sabahut, ndërkaq në ora 6.25 namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, në porosinë e tij për mbarimin e Muajit të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit ka theksuar se në këto ditë festive kudo shtrihet dora e pajtimit dhe mëshirës.
“Në këto ditë të hareshme, shkolla e Ramazanit na mësoi që të mos harrojmë njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadekatul Fitrit, siç na ka treguar i Dërguari i Zotit se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta. Me një fjalë, Festa e Fitër Bajramit është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores, i moralit ndaj amoralit, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes. E gjithë kjo na bën të jemi njerëz të aksioneve, njerëz që thirrim në kultivimin e veprave të mira dhe njerëz që pengojmë veprimet e këqija.”, tha kreu i BFI-së, Shaqir Fetai.
Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, besimtarët kthehen në vatrat e tyre për të ngrënë me familjen drekën festive të Bajramit duke uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie dhe respekti.
FLUTURA LATIFI
