Botë

Besimtarët falin Fitër Bajramin në Prishtinë, Tërnava thërret për unitet

21.04.2023 12:16

Në Kosovë ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës...

Në Kosovë ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit  është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.
 
Sipas Myftiut të Kosovës Naim Tërnava “Fitër Bajrami është festa më popullore që presin gjithë grupmoshat. Agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin dhe ka arsye që të festojë me familje. Në Ramazan na bashkoi lutja, sofra e iftarit dhe prandaj sot kemi arsye që ta festojmë këtë Fitër Bajram”, tha Tërnava.
 
Sipas tij, “braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, ka vlerësuar Tërnava.
 
Në mesazhin e tij, Tërnava ka bërë me dije se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë.