Botë
Fitër Bajrami në Tiranë, falet namazi në sheshin Skenderbeu
21.04.2023 12:20
Sheshi më i madh i kryeqytetit mori mëngjesin e sotëm një pamje madhështore....

Sheshi më i madh i kryeqytetit mori mëngjesin e sotëm një pamje madhështore. Sapo ora shënoi 06.40 e mëngjesit, besimtarët myslimanë falën namazin e fiter Bajramit në sheshin “Skënderbej” pas një muaji agjërimi e sakrificash. Kësaj here, mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, iu dedikua të rinjve që të ardhmen e shohin jashtë vendit,
“Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë, në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë! Vendin tonë e ka bekuar Zoti me gjithë të mirat, ta shohim si amanet që duhet ta mbajmë siç i takon amanetit të ruhet.”, deklaroi Spahiu.
Mes besimtarëve kishte edhe fëmijë e turistë të huaj.
Festime ka pasur në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërsa urime pati edhe nga politikanët.
“Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”, ka thënë presidenti i Shqiprisë Bajram Begaj.
“Mirëmëngjes, gëzuar Fitër Bajramin”, ka shkruar kryeinistri i Shqiprisë, Edi Rama.
“Të dashur miq, besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën, pas një muaj agjërimi të Ramazanit të madhërishëm, kremtojnë sot Bajramin!”, ka shkruar Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Uroj që sakrifica e tyre dhe agjërimi të jetë pranuar. Uroj që kjo ditë të sjellë paqe mbarësi dhe shëndet.” tha kryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
Festimet kanë vijuar më pas me drekën e Bajramit e me vizita mes miqve dhe të afërmve. Festa e Fitër Bajramit këtë vit përkon me 100-vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
LULJETA NDOKA
