Botë
Sudan, disa vende evakuojnë diplomatët
23.04.2023 18:35
Disa vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit, ku vazhdojnë luftimet e ashpra....

Disa vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit, ku vazhdojnë luftimet e ashpra.
ShBA-ja dhe Britania e Madhe njoftuan se i kishin larguar diplomatët nga vendi. Italia, Belgjika, Turqia, Japonia dhe Holanda thanë se po organizonin gjithashtu evakuime. Një autokolonë franceze thuhet se u sulmua teksa përpiqej të largohej nga ambasada dhe u desh të kthehej.
Ushtria e rregullt e Sudanit dhe forca paraushtarake e quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), fajësuan njëri-tjetrin për sulmin. Autoritetet amerikane thanë se kishin transportuar rreth 100 njerëz me helikopterë Chinook në një operacion “të shpejtë dhe të pastër”. Ndërkohë, ka raporte se lidhja e internetit është shkëputur pothuajse totalisht në Sudan, gjë që mund të pengojë seriozisht koordinimin për të ndarë ndihma për të bllokuarit në Khartoum dhe qytete të tjera.Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se luftimet kanë vrarë më shumë se 400 njerëz dhe mijëra të plagosur.
