Maqedoni
BDI: VMRO gënjen, përhap histeri
24.04.2023 12:04
Sot është 24 prilli, dy ditë pas tejkalimit të “afatit” të VMRO-së për “pagesën” e gjoja “sanksioneve”...

Sot është 24 prilli, dy ditë pas tejkalimit të “afatit” të VMRO-së për “pagesën” e gjoja “sanksioneve” prej 53 milionë eurove ndaj “Bechtel dhe Enkës”, thonë nga BDI. Sipas tyre, VMRO-ja për çdo ditë, me çdo deklaratë konfirmon se është kundër zhvillimit, ndërtimit të autostradave, kundër NATO-s dhe BE-së, kundër kompanive amerikane dhe kundër shqiptarëve.
"VMRO-ja përhap histeri në opinion dhe e frikëson pa bazë popullin me konspiracione dhe skenarе të imagjinuara e të sajuara. As nuk u paguan 53 milionë euro, as nuk u realizua asgjë nga ajo që e potenconte dhe premtonte VMRO-ja. Qytetarët mbajnë mend se VMRO-ja do t’i kishte fituar zgjedhjet parlamentare në vitin 2020 me 10 deputetë diferencë ose se në 3 raste gjatë këtij mandati kishte 61 deputetë për të rrëzuar Qeverinë, si dhe të mos rikujtojmë se emigrantët e “vërshuan” Maqedoninë, e të tjera gënjeshtra të ngjashme të VMRO-së, si kjo e sotmja që po e përsërit tash e një muaj dhe assesi të realizohet. Askush dhe asgjë nuk mund t’i ndalë autostradat. Bllokada e koalicionit VMRO dhe e Majta vetëm mund ta pengojë shtetin në përmbushjen e pjesës së obligimeve të tij.” – thuhet në kumtesën e BDI-së.
