Maqedoni

Evakuohen diplomatët e BE-së nga Sudani

24.04.2023 14:02

Diplomatë e shtetas të huaj po largohen me urgjencë nga Sudani, kjo situatë është bërë tejet e rrezikshme....

Diplomatë e shtetas të huaj po largohen me urgjencë nga Sudani, kjo situatë është bërë tejet e rrezikshme. Pas Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe, edhe Franca, Gjermania, Italia e Spanja kanë larguar njerëzit e tyre. Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, njoftoi se tashmë vendin e  përfshirë prej luftimesh të ashpra, e kanë lënë 1.000 shtetas të BE-së.
 
“Ka qenë një fundjavë e gjatë dhe intensive gjatë së cilës jemi përpjekur të largojmë njerëzit tanë nga Sudani. Ishte një operacion kompleks, por i suksesshëm. Fillimisht u larguan pjesëtarë të stafit të BE-së; rreth 21 vetë janë tashmë në Evropë dhe shumë të tjerë janë jashtë Sudanit, nuk ju jap dot një shifër të saktë, por janë mbi 1.000, kjo është e sigurt.”, - deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, Josep Borrell.
 
Haavisto: BE nuk duhet t’i lë hapësirë Rusisë
 
Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës tha se ekzistonte rreziku që grupi rus “Wagner” mund të përfitojë nga kriza aktuale në Sudan dhe se BE duhet të bëjë më shumë në lidhje me situatën në Sudan.
 
“Evropa duhet të luajë më shumë rol politik në zgjidhjen e situatës në Sudan. Sudani mund ta përhapë konfliktin në vendet fqinje, por edhe të shkaktojë një valë të madhe migrimi. Nuk është e drejtë që të gjithë të huajt po largohen nga vendi në këto rrethana. Nëse largohemi ne si BE, ju lëmë hapësirë trupave “Wagner” dhe Rusisë për të luajtur këtë lojë. Evropa duhet të aktivizojë rolin e saj në Sudan.”, - theksoi ministri i punëve të jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto. 
 
Dy gjeneralët e tyre udhëheqin Sudanin që nga viti 2021, kur qeveria civile e vendit u rrëzua përmes një grusht-shteti. Mosmarrëveshjet e fundit, që kanë kushtuar qindra jetë njerëzish, kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit tek një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU