Maqedoni
Dita ndërkombëtare e librit, shënohet me shumë aktivitete në Tetovë
24.04.2023 16:04
Dita ndërkombëtare e librit është shënuar në sheshin “Ilira” në Tetovë...

Dita ndërkombëtare e librit është shënuar në sheshin “Ilira” në Tetovë. Nxënës të grupmoshave të ndryshme kanë lexuar në shesh, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për lexim në hapësirat publike. Aktiviteti “Lexo kudo” është organizuar nga Shtëpia Botuese “Litera Grup”.
“Dihet se qyteti jonë është qytet me dy universitete, shtatë shkolla të mesme dhe 12 shkolla fillore dhe ne nuk kemi një park ku mund të lexojmë ose leximore. Ne japim një mesazh dhe ofrojmë vende ku mund të lexohet dhe kemi përfshirë dy grupmosha të nxënësve me moton “Lexo kudo”, ku grupi më i vogël japin një mesazh se jo çdo herë ne duhet t’i shohim të rinjtë se çka bëjnë, në këtë rast në ditën e sodit, të rinjtë le të na shohin neve dhe të marrin mësim prej neve.”, - deklaroi Adelina Mustafi nga shtëpia botuese “Litera Grup”.
Nxënësit që lexojnë lektyrat shkollore janë shpreh se duhet që të sjellin lektyra me tematika të reja, pasi këto ekzistuese që janë në bibliotekën e tyre janë me tematika të shekullit kaluar.
“Si lexuese e rregullt në bibliotekën e qytetit, shpesh herë kam hasur se librat kanë tematikë të vjetër dhe unë si nxënëse preferoj që librat që i lexojmë të kenë tematikë më moderne dhe më të reja me qëllim që nxënësit të jenë më shumë të dhënë pas leximit. Po ashtu, mendoj që të ketë edhe modernizim të sistemit shkollor.”, - deklaroi nxënësja e shkollës fillore “Liria” në Tetovë, Melisa Ziberi.
Ky aktivitet “Lexo kudo” është përkrahur edhe nga komuna e Tetovës. Edhe pse pranojnë se në Tetovë mungojnë hapësirat për lexim.
“Është e vërtetë se mungojnë hapësirat për lexim, leximoret e kështu me radhë dhe komuna e Tetovës përkrah çdo iniciativë që ka të bëjë me librin, me leximin pasi që libri është ai instrument që do të shpijë përpara rininë tonë, po ashtu do të duhet që edhe mësimdhënësit më shumë të stimulojnë nxënësit që të lexojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ngritin nivelin e tyre.”, - theksoi udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike në komunën e Tetovës, Nazmi Dauti.
Aktiviteti me moton “Lexo kudo” vazhdoi edhe nëpër autobusët e qytetit, i titulluar "Udhëtoj nëpërmjet librit" ku udhëtarëve, shtëpia botuese “Litera Grup” ka dhuruar libër, ndërsa Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” ka dhuruar biletë falas për lexuesit në autobus.
VISAR SADIKU
