Maqedoni

Aktivitete në shkollën “Arseni Jovkov” për parandalimin e dukurive negative në shoqëri

24.04.2023 16:09

Shkolla e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në bashkëpunim me disa shkolla të vendit mbajtën aktivitete....

Shkolla e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” në bashkëpunim me disa shkolla të vendit mbajtën aktivitete për parandalimin e dukurive negative në shoqërinë tonë si diskriminimin në shkollë, bulizmin kibernetik dhe ndikimi i rrjeteve sociale tek të rinjtë. Njëherit apelojnë Ministrinë e Arsimit që të marrin masa më konkrete lidhur me këto çështje që hasen çdo ditë në shoqërinë tonë.
 
“Jap rekomandim personal deri tek Ministria e Arsimit që ndikimin e rrjeteve sociale ta fusin në programin obligativ duke i prekur edhe shkollat fillore që nga çështja e edukimit të saj, rekomandimi i dytë është që të fillojmë me formimin e komisariatit kibernetik që të arrijmë deri tek ndalimi i këtyre çështjeve që janë problematikë e çdo qytetari.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit ekzekutiv të shkollës, Besire  Mjaku.
 
“Kjo iniciativë rrjedh nga obligimi që profesorët tanë ndjejnë ndaj nxënësve që hasen tetë orë në ditë dhe shohin në mënyrë të drejtpërdrejtë si gjithë këto dukuri negative vijojnë dhe kanë efekt dhe influencë negative, qoftë në aspektin e realizimit të ligjëratave, qoftë në aspektin e vëmendjes së nxënësve.”, - theksoi moderatorja, Alejna Gashi. 
 
Nxënësit e anketuar thonë se për t’u parandaluar dukuritë negative në shoqëri së pari duhet vet ata të marrin masa si rastet e bulizmit dhe diskriminimit që u bëhet atyre t’i paraqesin në hierarkitë më të larta.
 
“Ne mendojmë që për ta parandaluar bulizmin kibernetik, ne nëse jemi vet pre apo viktimë e bulizmit duhet së pari të fitojmë vetëbesim, t’i marrim pikat tona të forta si armë dhe mesazhet e pranuara të mos i përjetojmë emocionalisht, por vetëm t’i mbajmë si dëshmi në rast se na duhen dhe duhet të paraqitet rasti.”, - tha një nxënës.
 
“Diskriminimi në shkollë është temë që na prek shumë se ndodh që ne shpesh e diskriminojmë njëri-tjetrin për shkak të ngjyrës, gjuhës, përkatësisë etnike etj. Kemi edhe për bulizmin kibernetik, i cili është I ngjashëm me diskriminimin në shkollë ku ne bulizojmë njëri- tjetrin dhe beso se duhet që këto tema sa më shpejtë të anashkalohen dhe të fillojmë të vetëdijesohemi.”, - u shpreh një nxënëse.
 
“Më tepër si nxënëse e hasi diskriminimin në mes nxënësve, por edhe mes mësimdhënësit dhe nxënësit ku nuk i përfshijnë idetë e ndonjë nxënësit vetëm për shkak të racës, nacionalitetit apo edhe fesë së tij.”, - u shpreh një nxënëse tjetër.
 
Bulizmi, viktimizimi është një formë e sjelljes agresive në të cilën dikush qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur shkakton lëndime të një personi ose shqetësim.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI