Maqedoni

Korridori 8 dhe 10-D, VMRO-DPMNE me akuza, LSDM-BDI me kundërakuza

24.04.2023 16:54

Deputetët të cilët kanë sertifikat të sigurisë janë në pritje që të kenë qasje deri tek marrëveshja....

Deputetët të cilët kanë sertifikat të sigurisë janë në pritje që të kenë qasje deri tek marrëveshja e finalizuar në mes Qeverisë dhe kompanisë “Behtel-Enka”, për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D, ashtu siç u kishte premtuar Qeveria. Opozita maqedonase është me e interesuar që ta shohin këtë marrëveshje, pasi publikisht kanë akuzuar se ka dyshime për korrupsion. VMRO-DPMNE-ja akuzon se vendi do të futet në borxhe të mëdha, dhe kërkoi shpjegim se pse Qeveria ka pranuar që të paguajë “Penalitete” në shumë prej 53 milion euro, nëse nuk ndryshohet ligji për regullimin e orarit të punës së punëtorëve në këtë aks rrugor. 
 
“83.5 milion euro do të duhet të paguhen më shumë për 5 vitet e ardhshme dhe më së paku 6 muaj të prolongohet projekti. Me këto 53 milion që do të jepen tani, çmimi i përgjithshëm është rritur për 136.5 milion euro. Në gjithë këtë nëse nuk ndryshohen ligjet për 60 orë punë në javë, do të jepen edhe 59.4 milion euro apo çmimi i përgjithshëm do të shkojë në 196 milion euro do të duhen të paguhen në mënyrë shtesë në 5 vitet e ardhshme.”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski. 
 
Ndërsa nga partia në pushtet, kanë pohuar se VMRO-DPMNE është duke trilluar gënjeshtra, sepse sipas tyre është gënjeshtër e kulluar e VMRO-DPMNE-së se Qeveria do të paguajë penalitete në rast se në Kuvend nuk kalojnë ligjet të cilat janë për ndërtimin e këtyre dy rrugëve.
 
“Gjithçka që do të kapin Mickovski dhe VMRO-DPMNE-ja është e rrugës të dështohet dhe kjo më së miri shihet në autostradën Kërçovë-Ohër, e cila është shndërruar në sinonim për krim dhe korupsion, duke kaluar provizione në dëm të qytetarëve dhe vendit. A thua vallë do të duhet që akoma të lejojmë procedura paushalle për ndërtimin e akseve rrugore, të cilat kanë zgjatur me nga 10 vite?!”, - theksoi Mile Talevski nga LSDM.
 
Me reagim kanë dalur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim sipas të cilëve VMRO-DPMNE-ja për çdo ditë, me çdo deklaratë dhe komunikatë konfirmon se është kundër zhvillimit, ndërtimit të autostradave, kundër NATO-s dhe BE-së, kundër kompanive amerikane dhe kundër shqiptarëve.
 
“VMRO-ja përhap histeri në opinion dhe e frikëson pa bazë popullin me konspiracione dhe skenarе të imagjinuara e të sajuara. As nuk u paguan 53 milionë euro, as nuk u realizua asgjë nga ajo që e potenconte dhe premtonte VMRO-ja. Askush dhe asgjë nuk mund t’i ndalë autostradat. Bllokada e koalicionit VMRO dhe e Majta vetëm mund ta pengojë shtetin në përmbushjen e pjesës së obligimeve të tij.”, - thuhet në komunikatën e BDI-së.
 
Nga ana tjetër kryeministri Kovaçevski ka pohuar se deri më tani janë realizuar dy brifinge, ku i është dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve, por nëse ka nevojë do të realizojnë edhe një tjetër. Kovaçevski, po ashtu shtoi se marrëveshja në mes Qeverisë dhe kompanisë “Behtel-Enka” ka karakterin e fshehtësisë, por kjo sipas kryeministrit nuk tregon se dikush dëshiron të fsheh diçka. Akoma nuk dihet se kur në praktikë do të fillojnë të realizohen punimet ndërtimore, por vetëm nga Qeveria kanë pohuar se punët përgatitore janë duke u realizuar.
 
FITIM KRYEZIU