Maqedoni
Raporti i avokatit të popullit në parlament: Fëmijët më të diskriminuar në realizimin e të drejtave
24.04.2023 17:15
Shkelje të të drejtave të fëmijëve, të pasuar me flagrancat në gjyqësor ndaj konsumatorëve, mbrojtjen sociale...

Shkelje të të drejtave të fëmijëve, të pasuar me flagrancat në gjyqësor ndaj konsumatorëve, mbrojtjen sociale, marrëdhëniet e punës dhe të tjera, alarmon avokati i popullit në raportin e tij vjetor për vitin 2022 të prezantuar në Kuvend. Naser Zyberi thotë se konstatimet kanë vijuar pas analizës së 3.209 parashtresave të dorëzuara, andaj kërkoi të ndërpritet diskriminimi ndaj fëmijëve romë në dy shkolla në Manastir dhe Shtip, të sigurohen libra për nxënësit, si dhe asistentë në shkollat e mesme për fëmijët me nevoja të posaçme.
“Bëhet fjalë për zhvendosjen apo shpërnguljen e fëmijëve të komunitetit maqedonas dhe në këtë mënyrë është krijuar një situatë absurde e krijimit të shkollave rome, klasave rome e kështu me radhë për çka kemi vërejtje serioze edhe nga komuniteti ndërkombëtarë. Në procedurë është ndryshimi i ligjit për arsimin e mesëm dhe prandaj apeloj te deputetët që sa më shpejtë të aprovohet i njëjti dhe shteti të sigurojë asistencë për fëmijët me pengesa në zhvillim.”, - deklaroi avokati i popullit, Naser Zyberi.
Kamatat ndëshkuese dhe faturat e larta të energjisë elektrike shqetësojnë avokatin e popullit.
“Qeveria urgjentisht ta ndryshojë ligjin për marrëdhënie obligative, mos pret ndryshimin dhe kodifikimin e legjislacionit civil dhe me këtë ju t’i aprovoni këto ndryshime. Fatkeqësisht nuk arritëm gjuhë të përbashkët me komisionin rregullator. Prandaj në periudhën që vjen do t’i drejtohemi përsëri komisionit rregullator për rishqyrtimin e vendimit për mos ndryshimin e kësaj rregullative.”, - theksoi avokati i popullit, Naser Zyberi.
Opozita dhe pushteti me pikëpamje ndryshe
Opozita maqedonase konsideron se raporti do të lihet nën hije pa u ndërmarrë kurrfarë masash konkrete. Pushteti me vlerësim ndryshe.
“Për të gjitha ligjet që miratohen këtu, ne kemi qasje joserioze pasi që raporti për vitin 2021 u shqyrtua në vitin 2023 dhe nuk patëm kurrfarë konstatimesh dhe veprime ndaj të njëjtave.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Deanço Eftimov.
“Raporti me të vërtetë mund t’u shërbejë si shembull institucioneve të tjera, për shkak të strukturës, ndarjes sistematike, qartësisë me nxjerrjen në pah të problematikave në të gjitha sferat dhe rekomandime dhe konkluza konkrete.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska Vançeva.
Avokati i popullit pret nga deputetët të reflektojnë dhe kësaj here të miratojnë masa konkrete, për dallim nga raporti paraprak, i cili u la pas dore.
MERAL ISMAILI
