Botë

Filloi armëpushimi në Ukrainën lindore

15.02.2015 15:03

Mbrëmë në mesnatë sipas kohës lokale (ora 23 sipas kohës evropiane) hyri në fuqi marrëveshja për armpushim mes forcave ukrainase dhe separatistëve prorus në Ukrainën lindore...

Armëpushimi është hapi i parë drejt zbatimit të Marrëveshjes paqësore, të arritur në Minsk natën mes së mërkurës dhe së enjtes, për zgjidhjen  e konfliktit në Ukrainë.
 
Shtatmadhoria e forcave të armatosura të Ukrainës kumtoi se presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka dhënë urdhër për armëpushim në zonën e konfliktit në Donbas.
 
"U jap urdhër forcave të armatosura të Ukrainës, Gardës kombëtare dhe njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, forcave kufitare dhe shërbimit për siguri ta ndërprejnë zjarrin", thuhet në urdhërin e Poroshenkos.
 
Ministri ukrainas i Punëve të Brendshme Arsen Avakov  në profilin e tij në Fejsbuk njoftoi se u ka urdhëruar forcave policore të ndërprejnë me zjarrin në linjën e frontit në Ukrainën  lindore në orën 0:00 sipas kohës lokale.
 
Liderët e separatistëve prorus në Donjeck dhe Lugansk, gjithashtu kumtuan se u kanë urdhëruar luftëtarëve të tyre ta respektojnë regjimin e ndërprerjes së zjarrit.
 
Përfaqësuesi i separatistëve në Donjeck, Eduard Basurin në brifing gjatë natës ka informuar se forcat e tyre tërësisht e kanë ndërprerë zjarrin dhe se e respektojnë armëpushimin.
 
TASS lajmëroi se prej mbrëmë në mesnatë sipas kohës lokale në Donbas është heshtje absolute dhe se nuk ka gjuajtje nga asnjëra palë në konflikt.
 
Megjithatë përfaqësuesi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura të Ukrainës, Vlladisllav Seleznjov informon se pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, deri në orën 2:30 sipas kohës lokale, ora 1:30 sipas kohës së mesme evropiane) janë regjistruar nëntë raste të gjuajtjeve ndaj caqeve të forcave ukrainase në vendet Zolotoe, Popasnaja dhe Toçkovka në rajonin e Luganskut dhe në Çernuhinjo dhe Sanzharovska në rajonin e Donjeckut.
 
Shefi i shërbimit ukrainas për siguri, Valentin Nalivajçenko sërish informon se është regjistruar vetëm një shkelje e armëpushimit rreth 50 minuta pas hyrjes në fuqi të armëpushimit. Sipas tij, bëhet fjalë për sulm artilerik nga rajoni që është nën kontroll të njësive të përbëra nga shtetas rus.
 
Nga ana e tyre edhe separatistët prorus akuzuan se forcat ukrainase kanë gjuajtur ndaj caqeve të luftëtarëve të tyre në vendin Debalcevë, si dhe në postblloqet në lagjet Enakievo dhe Gorlovka në afërsi të aeroportit në Donjeck.
 
Lideri i organizatës nacionaliste ukrainase Sektori i djathtë, Dmitro Jarosh kumtoi se formacionet e tij paraushtarake nuk do ta repsektojnë armëpushimin.
 
"Dy bataljonet tanë, të cilët janë mirë të armatosura dhe të ekipuara, vazhdojnë me përparimin në Debalcevë dhe kanë arritje serioze ushtarake", informon Jarosh në kumtesën e publikuar në faqen e internetit të Sektorit të djathtë./mia