Palët ndërluftuese në Sudan kanë rënë dakord për një armëpushim 72-orësh
Përpjekje e tretë për t'i dhënë fund dhunës....

Përpjekje e tretë për t'i dhënë fund dhunës në Sudan. Është shpallur një armëpushim 72 orësh pas disa ditë luftime të ashpra mes dy palëve ndërluftuese. Ushtria sudaneze dhe Forca e Mbështetjes së Shpejtë janë zotuar të respektojnë marrëveshjen këtë herë.
"Të gjithë po përpiqen të arrijnë një ndërprerje më të qëndrueshme të armiqësive dhe ta kthejnë vendin në rrugën e duhur drejt një tranzicioni drejt qeverisë civile.", - deklaroi sekretari amerikan, Anthony Blinken.
Shumë vende kanë nxituar për të evakuuar qytetarët e tyre ditët e fundit. Karvanë diplomatësh të huaj, mësues, studentë, punëtorë dhe familje nga dhjetëra vende po përpiqeshin të largoheshin nga Hartumi.
“Armëpushimet janë shpallur dhe prishur në të kaluarën, kështu që situata mbetet e rrezikshme, e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Ka shumë më shumë shtetas britanikë në Sudan, sesa në vendet e tjera.”, - theksoi sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverley.
“Kemi pasur momente delikate, një prej tyre ishte sigurisht transferimi nga shtëpitë në aeroport.”, - u shpreh ambasadori i Italisë në Sudan, Michele Tomasi.
Japonia evakuoi 45 shtetas të saj dhe bashkëshortet e tyre nga Sudani, si dhe mbylli përkohësisht ambasadën e saj.
“Në të ardhmen, përmes zyrës së përkohshme të vendosur në Xhibuti, ne do të vazhdojmë të mbajmë kontakte të ngushta dhe të bëjmë çmos për të garantuar sigurinë dhe mbështetjen e nevojshme të banorëve japonezë në Sudan.”, - u shpreh kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida.
Pasi mohoi se “Wagner” është e pranishme në Sudan, kreu i organizatës Yevgeny Prigozhin thotë se është i gatshëm të vendosë forcat e tij "paqeruajtëse" në Sudan, nëse qytetarët e vendit e kërkojnë një gjë të tillë.
“Nëse sudanezët kërkojnë, unë me siguri do të dërgoj misionin paqeruajtës “Wagner” në Sudan. Nëse “Wagner” do të kishte qenë atje, nuk mendoj se lufta do të kishte filluar në Sudan. "Wagner” nuk i fillon luftërat, ai gjithmonë i përfundon ato.", - deklaroi pronari i “Wagner”, Evgeny Prigozhin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka paralajmëruar se dhuna në Sudan mund të shkaktojë një zjarr katastrofik, i cili mund të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë. Luftimet në Sudan filluan më 15 prill me mbi 400 të vdekur dhe mijëra të plagosur. Ushqimi është i pakët dhe i shtrenjtë, spitalet janë granatuar dhe janë në prag të kolapsit, uji është ndërprerë në disa vende dhe ndërprerjet e internetit kanë penguar kontaktin me botën. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
