Ndërtimi i korridoreve, ende objekt përplasjesh mes qeverisë dhe opozitës

25.04.2023 15:15

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D vazhdon të jetë “mollë sherri”....

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D vazhdon të jetë “mollë sherri” për pushtetin dhe opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE-në. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristan Mickoski, tha se nuk është kundër korridoreve 8 dhe 10-D, por kundër kriminalitetit që pushteti po bën gjatë ndërtimit të këtij projekti. VMRO-DPMNE kërkon që të ketë qasje të plotë te kjo marrëveshje.

“Jemi kundër, ju e dini, që nuk mund ta zgjasni javën e punës nga 40 në 60 orë pune, sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënshkruani një marrëveshje që do të përfshijë gjoba mbi 200 milionë euro. Ne jemi kundër ndërtimit të këtij projekti të madh pa leje ndërtimi. Për të dëshmuar se kujdesen për qytetarët, të njëjtat kushte duhet t'u japin edhe kompanive maqedonase.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Por nga LSDM  akuzojnë VMRO-DPMNE-në  se janë kundër ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10-D dhe kompanisë së njohur amerikane “Bechtel” për arsye politike dhe fitimprurëse.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska thotë se partia e Mickoskit është simbol për tendere dhe projekte të dështuara.

“Partia e udhëhequr nga Hristijan Mickoski është e fundit që mund të flasë për ndërtimin e autostradave, sepse VMRO-DPMNE është simbol për komisione, për projekte të dështuara në dëm të shtetit dhe qytetarëve. Nuk është ndërtuar asnjë autostradë e VMRO-DPMNE-së. Sidomos çfarë di opinioni për dëmet e mëdha që VMRO-DPMNE i bëri me projektin e dështuar për autostradën Kërçovë-Ohër?!”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Edhe zëvendëskryeministri i parë, Grubi, thotë se pikërisht për projektin ka realizuar takim edhe me Mickoskin, i cili, sipas tij, ka dhënë mbështetje duke i thënë që të nënshkruhet marrëveshja, të nis puna dhe më pas të shkohet në zgjedhje.

“Ai po ashtu është takuar edhe me përfaqësues të “Bechtel dhe Enka”. Unë po ashtu jam takuar edhe me Vllado Misajllovski, ish-ministër i transportit dhe lidhjeve, me Aleksandar Nikollovskin për ligjin special dhe ndryshimet e tjera. Të gjithë u pajtuan se janë të nevojshme dhe se kanë propozimet e tyre për përmirësimin e zgjidhjeve ligjore, por asnjëherë nuk i dorëzuan.”, - u shpreh Artan Grubi.

Ndryshe, gjashtë nga tetë ligjet e propozuara për lehtësimin e procedurave për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D nuk janë vendosur fare në rend dite në komisionet përkatëse të udhëhequra nga VMRO-DPMNE-ja.

Komisioni për Çështje Ekonomike miratoi ndryshimet në Ligjin për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale, por puna për ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës është bllokuar. Ende nuk dihet se kur do të hyjnë në procedurë gjashtë amendamentet e tjera ligjore. (Sanije Duraku, TVM2)