Botë

OBSH paralajmëron për rrezikun e shpërthimit biologjik në Sudan

25.04.2023 21:52

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një “rrezik të lartë biologjik” nga një laborator i uzurpuar gjatë luftimeve në Sudan....

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një “rrezik të lartë biologjik” nga një laborator i uzurpuar gjatë luftimeve në Sudan.
 
Zyrtarët thanë se është e paqartë se kush qëndron pas uzurpimit të Laboratorit Kombëtar të Shëndetit Publik në kryeqytetin Kartum.
 
Qyteti, tash e dhjetë ditë, është përfshirë nga luftimet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
 
OBSH-ja i tha BBC-së se punëtorët nuk mund të hyjnë më në laborator dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë duke e bërë të pamundur menaxhimin e duhur të materialit atje.
 
Zyrtarët thanë se një gamë e gjerë materialesh biologjike dhe kimike ruhen në laborator.
 
Objekti mban patogjenët e fruthit dhe kolerës, si dhe materiale të tjera të rrezikshme.
 
Mungesa e rrymës raportohet se është duke vënë në rrezik edhe rezervat e qeseve të gjakut, që ruhen në laborator.
 
Laboratori gjendet afër qendrës së Kartumit dhe jo shumë larg aeroportit kryesor të qytetit.
 
Ministria Federale e Shëndetësisë në Sudan ka raportuar se 36% e objekteve shëndetësore në Kartum janë jofunksionale, për shkak të luftimeve.