Maqedoni

Administrata shtetërore numëron 129.374 të punësuar, femrat dominojnë në sektorin social, meshkujt në atë jetësor

26.04.2023 14:13

Numri i institucioneve shtetërore në krahasim me vitin 2021 është rritur për tetë, njoftoi ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës...

Numri i institucioneve shtetërore në krahasim me vitin 2021 është rritur për tetë, njoftoi ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu në konferencën e sotme për media. Krahasuar me Raportin e vitit 2021, numri i të punësuarve në sektorin publik është ulur me 2.714 punonjës. Nga numri i përgjithshëm, 18.909 persona ishin të punësuar në ARM, MPB, ASK, Agjencinë e Inteligjencës dhe Drejtorinë e Policisë Financiare, theksoi ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës në Qeveri. Përpos shifrave, të dhëna të tjera për këta punonjës nuk gjenden në raport, për shkak të detyrimit ligjor për sigurinë.
 
“Në organet e pushtetit shtetëror në përputhje me këtë raport janë të punësuar 14.531 persona. Ajo që duhet theksuar këtu është se numri i të punësuarve  në organet e pushtetit shtetëror paraqet vetëm 13% nga numri total i të punësuarve në sektorin publik. Përkatësisht prej gjithsej 129. 374 persona. Krahasuar me të dhënat e raportit rezulton se numri i të punësuarve në pushtetin shtetëror është reduktuar për 771 person.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.
 
Nga analiza rezultoi se numri më i madh i të punësuarve në sektorin publik janë në sektorin e arsimit, i ndjekur nga ai i shëndetësisë. Në këto sektorë dominon gjinia femërore, ndërsa ajo mashkullore në mjediset jetësore dhe transport. 
 
“Si në raportet e vitit të mëparshëm, ashtu edhe në këtë raport rezulton se gjinia femërore dominon edhe atë me 56.29%, kundrejt gjinisë mashkullore, e cila përfaqësohet me 43.71%. Gjinia femërore është më e përfaqësuar në sferën e punës dhe politikës sociale me 82.99%. Gjinia mashkullore është më e përfaqësuar në veprimtaritë e mjedisit jetësor me 89.29%.”, - theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu. 
 
Mosha mesatare e të punësuarve është 46.03 vjeç. Krahasuar me raportin e vitit të 2021 evidentohet reduktim jo i konsiderueshëm i uljes së moshës mesatare të të punësuarve. Me përmbylljen e datës  31.12.2022 gjendja ka qenë siç vijon. Janë evidentuar 110.465 persona të punësuar, prej tyre 78.833 persona përkatësisht 71.36% janë maqedonas, 23.855 persona, përkatësisht 21.60% janë shqiptar.
 
SAFET ADEMI